Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 12 nëntor?


Empress Zoe Argyros Mosaics
Empress Zoe Argyros Mosaics
1028 - Perandoresha e ardhëshme bizantine, Zoe, merr fronin si perandoreshë bashkëshorte e Romanus Argyrus. Argyros - Argjiro - Argjend, ishte emri i një familjeje aristokrate të shquar të Perandorisë Bizantine nga mesi i shekullit të 9-të deri në shpërbërjen e Perandorise në shekullin e 15-të. Kulmin e suksesit kjo familje e arriti pas mesit të shekullit të 11-të. Nga Argjiro rrjedh edhe Gjirokastër, bashkim fjalësh Argjiro dhe Kastër (kështjellë). Qyteti Gjirokastër shfaqet në të dhënat historike në vitin 1336, si pjesë e Perandorisë Bizantine. Prejardhja e emrit, sipas nje teorie rrjedh nga Princesha Argjiro, por kjo etimologji është konsideruar si popullore, pasi princesha Argjiro është thënë se ka jetuar më vonë, në shekullin e 15-të, periudhë kur qyteti u pushtua nga osmanët. Kjo lë gjithashtu të kuptohet se emri Gjirokastër ndoshta lidhet me atë të familjes së perandorit Argyros të Bizantit në fillim të mijëvjecarit të parë. Në vitin 1960, shkrimtari i njohur Ismail Kadare shkroi një poemë për princeshën legjendare Argjiro. Ja disa vargje të Kadaresë:
"eshtroi princesha krenare
në çdo kullë e çdo kamare
si të fundit roje ranë
çdo pëllëmbe me gjak e lanë
dhe e vetme ajo mbeti
përmbi kullë porsi deti
që i hedh dallgët në rërë
turqit u versulën të tërë
që ta zenë yllin të gjallë
po a zihet ylli vallë?
ja Argjiroja e shpejtë
tok me foshnjezën e vet
u vërtit si zog në erë
nga kalaja në humnerë
shkëmb më shkëmb seç u copëtua
ra si ylli po su shua
dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë
se femija saj mbet gjallë
dhe që foshnjen ta mekojë
qumësht zuri të pikojë".


1915 - Lindi Roland Gerard Barthes - teoricien letrar francez, filozof, gjuhëtar, kritik, dhe semioticien. Ndikuar nga Saussure, Marksi, Frojdi, Niçe, Sartrit - Barthes kontribuoi në shumë fusha të mendimit dhe ndikoi në zhvillime filozofike, përfshi strukturalizmin, semiotikën, antropologjinë etj. Në vitin 1964, Barthes shkroi esene Shkrimtari i fundit i lumtur, titull që i referohet Volterit. Në kete ese, duke aluduar Volterin, Barthes komenton mbi problemet e mendimtarit bashkëkohor, i cili pasi mëson nga ato qe ka lexuar nga një autor, fillon t'a diskretitojë atë. Shumë kritikë nuk jane dakord me këtë vleresim duke thënë se ky është një shembull se si një mendimtar i shkëlqyer keqkupton tërësisht një tjetër. Barthes njihet edhe për krijimin e dy termave në fushën e kritikës letrare që ndan një lloj letërsie nga një tjetër, dhe zakonet pozitive e negative që ato krijojnë për lexuesin. Barthes thotë se ka dy lloj tekstesh – Tekst i Lexueshëm dhe Text Shkrueshëm - Teksti i Lexueshëm nuk kërkon asnjë përpjekje nga lexuesi, nuk e nxit atë per të prodhuar, menduar e kuptuar; ai bëhet spektator - Teksti i Shkrueshëm përmbush qëllimin; frymëzon, krijon mendim, duke e bërë lexuesin të mos jetë thjesht konsumator, por edhe prodhues teksti, shkrimtar.

1920 - Italia dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (e riemërtuar Jugosllavi në vitin 1929), nënshkruajnë Traktatin e Rapallos për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi disa territore në bregdetin ish-austriak në brigjet e sipërme të Adriatikut dhe Dalmaci. Marrëveshja ishte pasojë e dështimit të Traktatit të fshehtë të Londrës që favorizonte këto vende në dëm të vendeve të tjera, përfshi Shqipërinë.

1927 - Leon Trotsky përjashtohet nga Partia Komuniste sovjetike, duke lënë Joseph Stalin në kontroll të padiskutueshëm të Bashkimit Sovjetik.

1938 - Herman Goring propozon plane për t'a bërë ishullin e Madagasckarit atdhe të miliona hebrenjëve evropianë - para se nazistët të vendosnin t'i mbysnin në dhomat e gazit. Kjo ide nuk ishte e re; që në fillim të 1885, Paul de Lagarde, i njohur si ideator i anti-semitizmit gjerman, kishte sugjeruar deportimin e hebrenjve të Evropës Lindore në Madagaskar. Në 1926 dhe 1927, Polonia dhe Japonia secila shqyrtuan mundësinë e përdorimit Madagaskarit për zgjidhjen e problemeve të mbi- popullimit të tyre. Në vitin 1938, Gjermania naziste u përpoq të vinte në zbatim Planin Madagaskar. Por ishulli ishte koloni franceze, dhe Gjermania nuk mund te vepronte pa miratimin e Parisit. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore, disfata e Francës në vitin 1940, dhe krijimi i kampeve naziste të shfarosjes së hebrenjëve, bënë që plani Madagaskar të harrohej.

1940 - Lufta e Dytë Botërore: Ministri i Jashtëm sovjetik Vyacheslav Molotov arrin në Berlin për të diskutuar mundësinë e pjesmarrjes së Bashkimit Sovjetik në boshtin Romë - Berlin.

1987 - Në Tiranë, vdiq L(la)zar (S)otir (Gush)o, poet - i njohur me akronimin Lasgush dhe mbiemrin Poradeci, qyteti ku kishte lindur më 27 dhjetor 1899. Lasgushi u arsimua ne Manastir, Athinë, Bukuresht. Më 1924, qeveria e Fan Nolit i dha bursë studimi për në Universitetin e Grazit në Austri, ku merr titullin doktor në Filologji. Më 1934, Lasgushi kthehet në Shqipëri dhe punon si mësues. Viti 1944 e gjen pa punë. Më 1947, Lagushi merret si perkthyes në shtëpinë botuese Naim Frashëri. Emri i tij në fushën e letërsisë fillon të dëgjohet gjithnjë e më rrallë. Ja dy poezi te Poradecit, të dyja me një mbyllje të zymtë a pesimiste:
1
Dimri
Shpirti im që sot u mbyll
dhe gezimin m'a perzuri.
nëpër mal e nëpër pyll
zu dëbora prej qëkuri.

bjenë flokët një-nga-një
mi katundin e shkretuar.
dyke mardhur nënë të
dheri fjet e ri mbuluar

flet nga-dalë shpirti im,
dhe në zi pikoj si fleta,
pa më qit as pipëlim
tërëfili, tere jeta.

në kaq heshtje-e qetësi
ndjej vajtimthin e nje shpesi:
psherëtin me zë të ti
jet' e trembur se mos vdesi...

2
Vrapojnë Zemrat

Me sulm të ri, me shpirtin plot
Ti bën një vrap për t'udhëtuar.
Bën dhe një si vjet dhe sot,
Dhe një dhe mot e pa pushuar.

Dhe nuk pyet për ngaj po shkon,
Që ngaj po vjen ngaj të fryn era.
Vec udhëton vec përparon,
Si vjet e sot e mot përhera.

Dhe ik...e ik...e ik...e ik...
E ja! këputet zemr` e shkretë.
E ja! përshembet vrap i lik
E bje përmbys përgjithëjete.

E pa t'u tharë pika lot,
Vrapojnë zemerat e tjera,
Me sulm të ri, me shpirtin plot,
Si vjet e sot e mot përhera.


Mendim i ditës
"Do të parapëlqeja të isha i pari në fshat sesa i dyti në Romë."
Jul Qezari
XS
SM
MD
LG