Lidhje

Kosovë: Pjesëtarët e komunitetit LGBT – të diskriminuar


Kosovo, LGBT
Kosovo, LGBT

Organizatat humanitare, thonë të jesh pjesë e këtij komuniteti nënkupton luftë të vazhdueshme për pranim e trajtim të barabartë

Përfaqësues organizatash humanitare, thanë sot se në Kosovë, kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e komunitetit LGBT, por të jesh pjesë e këtij komuniteti nënkupton luftë të vazhdueshme për pranim e trajtim të barabartë dhe për siguri personale.

Këto komente u bënë gjatë prezantimit të raportit mbi lirinë dhe mbrojtjen e komunitetit LGBT në Kosovë të organizuar nga Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut.

Përfaqësuesit e kësaj nisme thanë se 40 për qind e pjesëtarëve të këtij komuniteti që janë anketuar për këtë raport, thonë se janë abuzuar gojarisht në publik dhe rreth 10 për qind janë rrahur ose kërcënuar.

Natyra Avdiu, nga kjo organizatë tha se 50 për qind e të anketuarave kanë pohuar se kanë frikë nga homofobia e përhapur dhe rastet e shkeljeve të të drejtave të këtij komuniteti.

Ministrja e Integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku tha se institucionet e Kosovës nuk mund të lejojnë frikësimin, diskriminimin apo trajtimin e pabarabartë të askujt. Ajo tha se në këtë frymë edhe bartësit e funksioneve publike duhet të thonë qartazi dhe prerazi se “të jesh pjesëtar i komunitetit LGBT, nuk të bën të pabarabartë, përkundrazi”.

“Ata kërkojnë nga ne pranim, jo ligje, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për dinjitetin njerëzor dhe dashurinë. Kush jemi ne të gjykojmë dikë bazuar në atë se kë e do? Ne duhet të gjykojmë ata që nuk e duan askënd”, tha ministrja Çitaku.

Përfaqësues ndërkombëtarë dhe të organizatave humanitare thanë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë me shumë për respektimin e të drejtave të këtij komuniteti.

Tim Cartëright nga Këshilli i Evropës tha se Kosova ka ligje të mira për mbrojtjen e të të drejtave të njeriut, por ato duhet të zbatohen.

Personat LGBT, vazhdojnë të jenë të paragjykuar në mjediset shoqërore homofobike. Sjelljet ndaj tyre janë të vrazhda. Sot në Kosovë, edhe pse ekzistojnë ligjet kundër diskriminimi, nuk ka asnjë rast që është sjellë para organeve të drejtësisë në Kosovës. Kjo është për keqardhje”, tha ai.

Në raportin e “Nismës së të Rinjve për të drejtat e Njeriut” thuhet se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë një plan kombëtar të veprimit për të nxitur respektin ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT, duke nënvizuar se në rrugën e Kosovës drejt evropianizimit dhe forcimit të demokracisë, mbrojtja e të drejtave të pakicave seksuale është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme.
XS
SM
MD
LG