Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 15 nëntor?


Vangjel Zhapa
Vangjel Zhapa

1859 - Në Athinë ringjallen Lojrat Olimpike moderne pas rreth 1500 vjetësh. Fillimisht ato u quajtën Lojrat Olimpike të Zhapës, pasi u sponsorizuan e financuan nga Vangjel Zhapa, filantropist i lindur në vitin 1800 në Labovën e sipërme, fshat afër Tepelenës, (sot në qarkun i Gjirokastrës).

Vangjeli e la fshatin e lindjes që në moshën 13 vjeç dhe shkoi në Janinë. Aty gjen mbështetjen e labovitit tjetër Vangjel Meksi, kryemjek në oborrin e Ali Pashës (Vangjel Meksi (1770 – 1821) njihet si autor i një gramatike shqipe dhe përkthyesi i parë në shqip i Dhiatës së re.

Në moshën 20 vjeçare, Zhapa regjistrohet në forcat e Ali Pashë Tepelenës. Pastaj iu bashkua luftës greke për pavarësi nga perandoira osmane, duke luftuar përkrah suljotëve të Marko Boçarit. Pas revolucionit grek, aty nga viti 1831, Vangjel Zhapa largohet nga Greqia dhe vendoset në Rumani ku merret me spekullime në tregun e pasurive të patundshme. Në vitin 1850, Zhapa njihet si një ndër afaristët më të pasur në Evropën lindore. Përveç ndihmave për ringjalljen e Lojrave Olimpike, Vangjel Zhapa dhuroi shuma të mëdha në drejtim të themelimit të shkollave, bibliotekave dhe institucioneve të tjera të ngjashme arsimore në të gjithë botën e pushtuar osmane, nga Stambolli deri në Labovë. Vangjel Zhapa vdiq në vitin 1865.

1920 - Lidhja e Kombeve mblidhet për herë të parë. Në kuvendin e 42 vendeve në Gjenevë, Zvicër, mungojnë disa prej fuqive të mëdha botërore: Gjermania ndalohet për agresionin e në Luften e parë; Shtetet e Bashkuara zgjedhin për t'a izoluaruar veten nga politika evropiane; dhe Rusia u mbajt larg nga frika e komunizmit që ushqente Evropën në atë kohë.

1939 –Presidenti Franklin D. Roosevelt vendos gurëthemelin e parë të përmendores Thomas Jefferson ne kryeqytetin Uashington. Thomas Jefferson, është një nga etërit e SHBA-se, hartues i kushtetutës dhe i treti presidenti i Shteteve të Bashkuara. Memoriali Jefferson, një strukturë e stilit neoklasik, u projektua nga arkitekti John Russell Pope. Ndërtimi i memorialit përfundoi në vitin 1943. Ndërsa Shtatorja prej bronzi e Jeffersonit u shtua në vitin 1947. Në vitin 2007 Memoriali i Jeffersonit u rendit i katërti në listën e Arkitekturës më të preferuar nga Instituti Amerikan i Arkitektëve.

1943 - Holokausti: Udhëheqësi i shërbimit të sigurimit gjerman SS, Heinrich Himmler urdhëron që ciganët (romët) të trajtohen njësoj si hebrenjtë dhe të vendosen në kampet e përqendrimit" .

1944 - Vdiq në moshën 80-vjeçare britanikja Mary Edith Durham - artiste, natyraliste, udhëtare, shkrimtare - e cia u bë e famshme për studimet e saj antropologjike të jetës shqiptare në fillim të shekullit të 20-të. Edith Durham ishte më me e madhja e tetë fëmijëve. Ajo pati një rini tepër të lodhshme; kur i ati i vdiq, Edithit iu desh të kujdesej për gjithë familjen, ndërsa merrej me vetë-arsimim dhe zhvillonte talentin si piktore - Kur ishte 25 vjeç, punimet e saj u bënë pjesë e muzeut të Historisë Natyrore në Kembrixh.

Më 1913, shëndeti i saj u dobësua, dhe mjeku i rekomandoi pushim, larg halleve ditore. Kështu, Edith Durham u nis nga Londra në Trieste, në Kotor, në brigjet e Dalmacisë, dhe pastaj me rrugë tokësore në Mal të Zi. Ky ishte kontakti i parë me Ballkanin, që do të mbushte pjesën në vazhdim të jetës së saj.

Mary Edith Durham udhëtoi gjerësisht në Ballkan gjatë 20 viteve të ardhshme, duke u përqëndruar veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar. Puna e saj ishte e një rëndësie të mirëfilltë antropologjike dhe për këtë arsye, Edith Durham u pranua anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror Britanik. Por ishin edhe shkrimet e saj që i dhanë asaj famën e veçantë. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët "High Albania" (1909 ) është më i njohuri, dhe që ende vazhdon të konsiderohet nga të huajt si libër-udhëzues për të njohur dhe kuptuar zakonet e malësisë së veriut.

Me punën e saj, Mary Edith Durham erdhi duke u njëjtësuar gjithnjë e më shumë me çështjen shqiptare; ajo ishte përkrahëse e idesë së bashkimit të popullit shqiptar. Por Durham pati edhe kritikë të shumtë. Për shembull, ajo sulmohej vazhdimisht nga përkrahësit e shtetit jugosllav, të cilët mbështesnin përfshirjen e Kosovës në Serbi. Kjo e bëri Durhamin gjithnjë e më anti - serbe, duke dalë me shprehjen "paraziti serb" i cili synon jo për të krijuar një Jugosllavi, por për të përmbushur synimet për një Serbi të Madhe .... jo për çirimin e popujve por për t'i bërë ata edhe më të shtypur se më parë".

Disa intelektualë britanikë pro-serbë i kritikuan ashpër pikëpamjet e saj. Për shembull, Rebecca West (me një përvojë vetëm disa mujore udhëtimi në Jugosllavi shkroi librin e njohur pro-serb "Black Falkon…") e quante Durhamin "një udhëtare që i përshkruan shqiptarët masakrues të masakruar". Ndërsa historiani i njohur RW Seton-Watson komentonte se "duke kritikuar vazhdimisht mendësinë ballkanike, ajo u bë pjesë e kësaj mendësie".

Nga ana e tyre, shqiptarët e vlerësojnë lart Edith Durhamin, duke i dhënë asaj emrin "Mbretëresha e Malësorëve". Asdreni i përkushoi asaj një vëllim poetik, ndërsa, kur Durham vdiq më 1944, mbreti Zog në mërgim u shpreh: "Ajo na dha zemrën e saj dhe u bë zë në veshin e malësorëve tanë". Në vitet sundimit komunist (veçanërisht gjatë marrëdhënieve shumë të ngushta shqiptaro - jugosllave), emri i M. Edith Durhamit u la në heshtje, u përbuz, u ndalua. Në vitin 2004, presidenti Alfred Moisiu e cilësoi Edith Durhamin si një prej personaliteteve më të shquara të botës shqiptare gjatë shekullit XX.

1951 - Në Athinë fillon gjyqi ndaj Nikos Beloyannis, udhëheqës i rezistencës dhe kuadër i lartë i Partisë Komuniste Greke. Lindur në Amalias, Peloponez , më 1915 në një familje të pasur, në vitin 1930 ai shkon për të studiuar në Athinë, por para se të diplomohej, u arrestua nga regjimi i Metaksas dhe u transferua tek gjermanët pasi vendi u pushtua nga nazistet me 1941. Beloyannis arratiset nga burgu dhe bashkohet me Ushtrinë Çlirimtare Popullore greke (ELAS ). Pas luftë së dytë, ai bëhet Komisar i Ushtrisë Demokratike Greke ( DSE ) gjatë Luftës Civile dhe një nga të fundit që largohet nga vendi pas humbjes së komunistëve më 1949. Në qershor 1950 Beloyannis kthehet ilegalisht në Greqi për riorganizimin e Partisë Komuniste; arrestohet nën akuzat për tradhti dhe si agjent i Bashkimin Sovjetik. Ai i mohoi të gjitha akuzat dhe në gjyq theksoi natyrën patriotike të veprimeve të tij. Belojanis u bë i njohur në botë si "Njeriu me Karafil" në dorë gjatë gjyqit dhe si i tillë ai tregohet në një skicë të famshme të Pablo Picassos. Përkundër thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për mëshirë, gjyqi ushtarak e dënoi Belojanin dhe 11 shokë të tij me vdekje. Ai dhe 3 prej tyre, p\u ekzekutuan më 1952, të tjerëve dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm, por nga mesi i viteve 1960 ata u amnistuan. Beloyannis u bë viktimë simbolike e sistemit autoritar të pasluftës në Greqi. Emri i tij iu dha një fshati ndërtuar në Hungari për të strehuar refugjatët politikë grekë që jetonin në mërgim nga fundi i luftës civile (1949) derisa u lejuan të kthehen në Greqi nga qeveria e Andreas Papandreu në fillim të viteve 1980 .

1983 – Themelohet Republika turke e Qipros Veriore, e cila njihet vetëm nga Turqia.

1987 - Në Brasov, Rumani, punëtorët rebelohen kundër regjimit komunist të Nikolae Çausheskut. Revolta e Brasovit shkaktuar nga mungesat ushqimore, ishte një nga protestat e para të gjera publike që çuan në fundin e Çausheskut ne vitin 1989.

Mendim i ditës

"Librat që gjithkush i admiron janë ato që askush nuk i lexon."

Anatole France

XS
SM
MD
LG