Lidhje

Politika e jashtme e presidentit John Kennedy


Më 22 nëntor shënohet 50 vjetori i vrasjes së Presidentit John Kennedy. Bota ishte shumë ndryshe kur Kennedy u zgjodh president në vitin 1961. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik ishin mbërthyer në Luftën e Ftohtë, ku vija ndarëse ishte Berlini, Kuba dhe Vjetnami. Kennedy erdhi në postin e presidentit i vendosur kundër komunizmit. Çështja e ndërhyrjes në Kubë ishte një fillim i vështirë në politikën e jashtëme të administratës së tij.

Që prej fillimit, John Kennedy e bëri të qartë se nuk do të përkulej para agresionit sovjetik të luftës së ftohtë.

“Le ta dijë çdo vend, nëse na do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të mbajmë çdo peshë, do të kapërcejmë çdo vështirësi, do të mbështesim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik për të siguruar mbijetesën e lirisë”.

Administrata hodhi një hap të gabuar kur mbështeti planin e CIA-s për ndërhyrjen në Kubë me kundërshtarët e mërguar të Kastros në Gjirrin e Derrave. Autori Robert Dallek thotë se invazioni i planifikuar ishte dështim, por edhe një mësim i vlefshëm për Kennedy-n.

“Është një dështim i plotë, aq i madh saqë Kennedy më pas thoshte shpesh ‘si ka mundësi që u tregova kaq budalla?’ Ai u kritikua rëndë, gjë që e dëshpëroi shumë dhe krijoi një mosbesim të thellë tek ai nga ushtria”.

Dështimi i tij në Kubë, sëbashku me moshën e tij të re dhe mungesën e përvojës, tregonte se atij i duhej të fitonte respektin e udhëheqësve botërorë, si të aleatëve ashtu edhe të rivalëve gjatë një turneu në Evropë.

“Fakti që Kennedy do të paraqitetj krahas De Gaulle-it, duke u trajtuar si i barabartë me të, ishte një mbështetje e madhe për të. Por pastaj ai shkoi në Vjenë për t’u takuar me Nikita Khrushchev-in, ku udhëheqësi sovjetik e trajton pa mëshirë si një udhëheqës të ri që nuk di se çfarë bën. Më tej vjen çështja e Berlinit. Nëse Kennedy do të donte të bënte një gjë të vetme në politikën e jashtme gjatë administratës së tij, ajo ishte shmangia e luftës bërthamore”.

Presidenti Kennedy u gjend përballë provës në politikën e jashtëme në tetor të vitit 1962, kur avionët amerianë të zbulimit diktuan veprimtari ushtarake sovjetike në Kubë.

“Gjatë javës së kaluar, ka patur të dhëna të pagabueshme që dëshmojnë faktin se poligone raketash sulmi po bëjnë përgatitje në këtë ishull të izoluar”.

Kennedy i dha urdhër marinës amerikane të bllokonte transportin e raketave sovjetike. Kriza kubane 13 ditëshe e raketave e çoi botën në prag të luftës bërthamore. Por diplomacia prapa skenës dhe kërcënimet për ndërhyrje ushtarake nga ana e Kennedy-t shërbyen për shuarjen e krizës dhe për sprapsjen e sovjetikëve.

Kriza e raketave e bindi Kennedy të gjente mënyra për të ulur tensionet e Luftës së Ftohtë. Pak muaj para vdekjes së tij, u realizua një nga arritjet e tij më të mëdha, nënshkrimi i traktatit për kufizimin e armëve bërthamore me Bashkimin Sovjetik që u hapi rrugën marrëveshjeve të armëve me Moskën.

Në muajt e fundit të jetës, Kennedy dërgoi gjithashtu sinjale konfliktuale rreth vazhdimit të angazhimit ushtarak amerikan në Vjetnamin e Jugut.

“Mendoj se ai nuk do të kishte bërë kurrë atë që bëri Lyndon Johnson-i. Ai nuk do të kishte angazhuar aq shumë trupa sa angazhoi Johnson-i. A do të ishte larguar ai nga Vjetnami?” Këtë nuk e di. Por unë mendoj se ai nuk do ta kishte përshkallëzuar luftën ashtu siç bëri Johnson-i”.

Qendrimi i John Kennedy-it në postin e presidentit ishte i shkurtër, por mënyra si ai e trajtoi krizën kubane të raketave dhe përpjekjet e tij për paqen në botë mbeten pjesë e tashëgimisë së tij presidenciale.
XS
SM
MD
LG