Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 7 dhjetor?


Marcus Tullius Cicero
Marcus Tullius Cicero

43 pes - Marcus Tullius Cicero - konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator, theoricien, konstitucionalist - ekzekutohet si armik i Romës, kur kishte filluar të besonte se karriera politike ishte arritja e tij më e rëndësishme; sepse veç orator i përkryer, ai ishte edhe një prej politikanëve më të mirë të Romës. Ciceroni fitoi famë me kundërshtimin e tij ndaj Jul Qezarit i cili kërkonte të bëhej i plotfuqishëm; më vonë ai denoncoi Mark Antonin që nuk riktheu republikën (pas vdekjes së Qezarit); dhe kritikoi Oktavianin që synonte të bëhej perandor. Ciceroni u fal nga Qezari kur ky u kthye në Romë pas fitores ndaj Pompeit, por nuk mundi t'i shpëtonte zemërimit të Mark Antonit dhe Oktavianit që e ndoqën dhe e vranë si armik te shtetit; koka iu pre, duart iu gjymtuan, trupi iu nda copa - copa, shkruajnë kronikanët. Ciceroni ra viktimë e pasioneve politike të kohës; tregojnë, se një herë, disa vite më vonë, Oktaviani (Perandor) e gjeti nipin e tij duke lexuar një libër të Ciceronit, dhe u përpoq për t'a fshehur për shkak të frikës se gjyshi i tij do të zemërohej. Por Oktaviani e mori librin, lexoi disa rreshta dhe ia ktheu duke thënë: "Lexoje pa frikë, Ciceroni ishte njeri i mësuar që e donte vendin e tij." Me kalimin e shekujve, Roma përjetoi trazira, përmbysje; shkrimet e Ciceronit u zhdukën; më pas u ruajtën nga murgjit në manastire. Zbulimi nga Petrarka i letrave të Ciceronit, në shekullin XIV, dhe publikimi i tyre, është cilësuar si shkëndija e Rilindjes evropiane. Por kjo Rilindja solli gjithashtu ringjalljen e Ciceronit, dhe, vetëm pas tij e nëpërmjet tij, edhe ringalljen e pjesës tjetër të lashtësisë klasike. Kulmi i prestigjit të Ciceronit erdhi gjatë periudhës së iluminizmit (shekulli XVIII); ndikimi i tij është vënë re tek mendimtarët si John Locke, David Hume dhe Montesquieu; veprat e Ciceronit renditen mes atyre më me ndikim në kulturën evropiane, dhe ende përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të materialit parësor për shkrimin dhe rishikimin e historisë romake, sidomos në ditët e fundit të Republikës, kur ndodhi edhe vdekja e tij.

Sipas Ciceronit: 6 gabimet që njerëzimi vazhdon të përsërisë brez pas brezi:

1- Besimi se fitimi personal arrihet duke shkaterruar të tjerët;

2- Shqetësimi për gjërat që s'mund të ndryshohen;

3- Këmbëngulja se një gjë është e pamundur, vetëm sepse ne nuk mund t"a arrijmë;

4- Refuzimi për të vënë mënjanë preferencat e parëndësishme;

5- Neglizhenca e zhvillimit dhe sqimës së mendjes;

6- Përpjekja për të detyruar të tjerët të besojnë dhe të jetojnë si ne."

1761 - Në Strasburg, Francë, lindi Marie Grosholtz. Martesa me Fransua Tussaud më 1795 i dha asaj një emër të ri: Madame Tussaud, e cila themeloi në Londër një muzeu me statuja prej dylli të njerëzve të njohur; të gjallë e të vdekur, të mirë e të këqinj; sot muzeu ka degë në disa qytete kryesore te botes, dhe pavione me shatatore njerëzish prej dylli. Figura e parë prej dylli që Madame Tussaud krijoi ishte ajo e Volterit në vitin 1777; ndër njerëz të tjerë të famshëm që Madame Tussaud modeloi në atë kohë në dyll përfshihen edhe Zhan Zhak Ruso dhe Benjamin Franklin.

1783 - Në moshën 24 vjeçare, William Pitt bëhet kryeministri më i ri në moshë në Britani. Ai kujtohet për politikat e tij kundër korrupsionit, reformat fiskale, shtimin e kompetencave për Dhomën e Komunave dhe bashkimin me Irlandën.

1917 - Shtetet e Bashkuara hyjnë aktualisht në Luftën e Parë Botërore, duke i shpallur luftë perandorisë austro - hungareze. Zyrtarisht, Shtetet e Bashkuara ishin bashkuar me këtë luftë që më 6 prill 1917. Para kësaj, SHBA kishte mbetur neutral, edhe pse ishte furnizues i rëndësishëm i Britanisë dhe fuqive të tjera aleate me materiale ushtarake. Gjatë luftës, SHBA mobilizoi mbi 4 milionë personel ushtarak dhe pësoi 110 mijë të vdekur, prej tyre 43 mijë për shkak të epidemisë së gripit në front në Evropë.

1928 - Në Filadlelfia, lindi Noam Chomsky, gjuhëtar, filozof, shkencëtar, logjician, komentator politik dhe aktivist. Ndonjëherë i cilësuar si ati i gjuhësisë moderne, Chomsky është gjithashtu figurë e rëndësishme e filozofisë analitike. Shumicën e karrierës së tij e pati në Institutin Teknologjik në Masaçusets (MIT), ku është aktualisht Profesor Emeritus. Chomsky është autor i mbi 100 librave, dhe intelektuali më i madh në botë, sipas një sondazhi më 2005.

1941 - Ndodh një sulm i papritur ushtarak ajror nga marina perandorake japoneze marinës kundër bazës detare të Shteteve të Bashkuara në Pearl Harbor, Hawai. Sulmi çoi në hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore që kishte filluar më 1939. Gjatë 2 viteve të para të konfliktit global, Shtetet e Bashkuara kishin mbajtur neutralitetin formal, ndërsa furnizonin Britaninë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën me materiale të luftës përmes ligjit të hua-qirasë nënshkrua më 11 mars 1941. Gjatë luftës mbi 16 milionë amerikanë shërbyen në ushtri, 290 mijë u vranë në veprim, 670 mijë u plagosën, 130.201 u zunë robër, prej të cilëve 116.129 u kthyen në shtëpi pas luftës.

1972 - Astronautët Juxhin Kerman, Harrison Shmid dhe Ronald Evans ishin të fundit që udhëtuan në Hënë me misionin Apollo 17. Kerman dhe Shmid zbritën në një luginë thuajse në veri të vendit ku ishte ulur Apollo 11. Ata qëndruan në sipërfaqen e Hënës 72 orë dhe më shumë se 24 orë i kaluan duke punuar jashtë sondës me të cilën kishin zbritur. Këta astronautë kryen 3 udhëtime me Roverin hënor duke bërë fotografi e mbledhur gurë. Ata gjithashtu lane atje edhe shumë pajisje shkencore që do të vazhdonin të dërgonin në Tokë informata të ndryshme rreth Hënës. Kerman dhe Shmid u nisën nga Hëna më 14 dhjetor dhe para se të largoheshin lane atje një pllakë metalike ku thuhet: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës. Shpirti i paqes me të cilin ata erdhën le të pasqyrohet në jetën e të gjitha qenieve njerëzore”. Pllaka metalike me këtë mbishkrim, sigurisht në anglisht, ka mbetur në sipërfaqen e Hënës si e vetmja shenjë e përherëshme e mbërritjes së njeriut atje. Me anijen Apollo 17 morri fund edhe prodhimi i raketës Saturn 5 si dhe projekti i anijeve Apollo. Eksplorimet e Amerikës me njerëz në Hënë kishin përfunduar. Kjo ishte një kohë e veçantë në historinë e njerëzimit, sepse për herë të parë njerëzit shkuan përtej planetit të tyre të vogël brenda sistemit gjigand diellor. Pas kësaj, Hëna përsëri do të bëhej e paarritëshme për njeriun, por jo për imagjinatën e tij.

Mendim i ditës

"Të jesh injorant i asaj që ka ndodhur kur ti s'kishe lindur, është të mbetesh gjithmonë fëmijë."

Ciceroni

XS
SM
MD
LG