Lidhje

Ministria e Mbrojtjes denoncon për korrupsion ish ministrin Arben Imami


Në Shqipëri Ministria e Mbrojtjes denoncoi sot në Prokurori për Korrupsion ish ministrin Arben Imami si dhe disa sih zyrtarë të tjerë. Ministrja Mimi Kodheli shpjegoi se denoncimi vjen pas verifikimeve të ekspertëve, të cilat siç shpjegoi ajo, kanë gjetur shkelje të procedurave dhe abuzime të mëdha me fondet publike. I menjëhershëm ka qenë reagimi i zotit Imami i cili foli për një akt hakmarrjeje personale të kryeministrit Rama. Ai hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se në ministrinë e drejtuar prej tij nuk ka patur abuzim me ligjin dhe paratë e qytetarëve.

Ministrja Mimi Kodheli deklaroi se “sot Ministria e Mbrojtjes, depoziton një kallzim penal ndaj ish ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish zyrtarëve të kësaj ministrie për konsum të veprave penale, “shpërdorim detyre”, “shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.


Ministrja Kodheli shpjegoi se padia ndaj parardhësit të saj është bërë pas një verifikimi të hollësishëm të një grupi ekspertësh: “të cilët e kanë shqyrtuar deri në detaje këtë aferë korruptive dhe kanë dalë në konkluzionin që kush ka qenë pjesë e kësaj procedure duhet tëpërgjigjet para drejtësisë”

Ministrja kërkoi nga Prokuroria e përgjithshme hetimin e plotë të shkeljeve dhe abuzimeve të mëdha me fondet publike ndërsa shtoi se“nuk është aspak komode për mua apo për bashkëpunëtorët e mi, për këtë veprim ndaj paraardhësit tim, por ju siguroj se kjo ishte gjëja e e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara këtyre fakteve dhe provave të pamohueshme"

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish ministrit Imami i cili nga selia e partisë demokratike deklaroi se sipas tij bëhet fjalë për akt primitiv hakmarrës personal të kryeministrit Edi Rama: “Zoti Rama dështoi në të gjitha akuzat e ngritura në 2 vite, për përgjime, armë të dërguara Gedafit, pronat e ushtrisë, emërime të paligjshme e të tjera si këto. Të gjitha akuzat ranë, e vetmja gjë që nuk ra dhe nuk mund të bjerëështë vendimi i një njeriu të çmendur, për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale, për deklaratat e mia publike për 21 Janarin”.

Ish ministri i Mbrotjes u shpreh i sigurt se nga këto akuza nuk do të dalë asgjë: “Në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka asnjë abuzim me ligjin dhe paratë e tyre. Por ishte përcaktuar prej dy vitesh “armiku” i kryetarit të Partisë Socialiste, e pas kësaj u bënë përpjekje për të montuar një akuzë false, duke akuzuar një institucion model për abuzim me tendera, prej të cilave jam i sigurt se nuk do të dalë absolutisht asgjë”.

Sipas burimeve, thelbi i denoncimit ndaj zotit Imami ka të bëjë me nje fond prej afër 1.2 milion dollarësh të përdorur për reklamat e ministrisë. Së bashku me zotin Imami mendohet se është denoncuar edhe ish Drejtori i përgjithshëm i shërbimeve mbështetëse Shkëlqim Berisha, aktualisht funksionar në Institutin e verifikimit të pasurive, si dhe dy tre ish zyrtarë të tjerë.

XS
SM
MD
LG