Lidhje

Ceremonia përkujtimore për Nelson Mandelën


Më tepër se 60 mijë njerëz u mblodhën në Johanesburg në një shërbim përkujtimor për të nderuar presidentin e ndjerë jugafrikan Nelson Mandela. Në ceremoni folën një numër udhëheqësish botërorë, mes tyre edhe Presidenti Barack Obama.

Shiu i vazhdueshëm nuk i pengoi turmat që këndonin dhe kërcenin nën tingujt e muzikës tradicionale, ndërsa folësit vlerësonin rolin e Nelson Mandelës në përpjekjet “për t’i dhënë fund apartejdit dhe për shërimin e plagëve të shkaktuara nga ndarjet racore në Afrikën e Jugut.”

Presidenti Barak Obama tha se zoti Mandela “ishte një gjigand i historisë, i cili e udhëhoqi vendin e tij në rrugën e drejtësisë dhe gjatë këtij procesi ai ngriti peshë miliarda njerëz në mbarë botën.” Ai e falenderoi popullin jugafrikan që e ka ndarë udhëheqësin e vet me mbarë botën: "Lufta e tij ishte lufta juaj, triumfi i tij ishte edhe i juaji. Dinjiteti dhe shpresa juaj gjetën shprehje në jetën e tij; liria dhe demokracia që ju zot gëzoni, janë trashëgimia të cilën ai e mbajti gjallë.”

Presidenti Obama vlerësoi fuqinë e zotit Madela dhe ndjenjën e tij të drejtësisë, por mbi të gjitha, ai vlerësoi aftësinë e udhëheqësit të ndjerë për të falur dhe deklaratën e tij për lidhjen që ekziston mes njerëzimit: "Një njeri si Madiba çliroi jo vetëm të burgosurin, por edhe gardianin, duke treguar se duhet patur besim tek njerëzit, në mënyrë që edhe ata të kenë besim tek ju; ai na mësoi se pajtimi nuk ka të bëjë me injorimin e një të kaluare të hidhur, por ai është një mjet për t’u përballur me të drejpërdrejt, me zemërgjerësi dhe me sinqeritet. Ai ndryshoi ligjet, por edhe zemrat e njerëzve.”

Në fund të fjalimit të tij, Presidenti Obama u përpoq ta ngushëllonte popullin e Afrikës së Jugut, duke cituar fjalët që zoti Mandela përdori për ngushëlluar veteveten gjatë qëndrimit të tij në burg.

"'Nuk ka rëndësi se sa të larta janë kangjellat e burgut, se sa e gjatë është lista e dënimeve, e rëndësishme është se unë jam zot fatit tim: jam kapiteni i shpirtit tim’… Dhe çfarë shpirti i mrekullueshëm ishte ai! Sot ai na mungon pa masë. Zoti e bekoftë kujtimin e Nelson Mandelës. Zoti e bekoftë popullin e Afrikës së Jugut.”

Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se bota kishte humbur një hero, një baba, një mik dhe një udhërrëfyes. Mes folësve të tjerë në ceremoni, ishin presidenti kuban Raul Castro and presidentja e Brazilit Dilma Rousseff. Shërbimi i sotëm përkujtimor u mbajt në stadiumin kryesor të Johanesburgut, ku u zhvillua kampionati botëror i futbollit në vitin 2010. Po në këtë stadium, zoti Mandela doli për herë të fundit në publik, në ceremoninë e mbylljes së Kampionatit Botëror të Futbollit, i pari i zhvilluar ndonjëherë në Afrikë.
XS
SM
MD
LG