Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 23 dhjetor?


The Monastery of Saint Naum
The Monastery of Saint Naum
910 - Vdiq Shën Naumi (i njohur si Naumi i Ohrit). Informacioni mbi jetën e tij të hershme është i pakët. Nuk dihet nëse ishte vendas apo i ardhur. Lindur në vitin 830, në një rajon banuar nga ilirët, pushtuar nga romakët e më pas nga sllavët e jugut, Naumi u bë misioner i krishterë mes banorëve sllavë të sapo ardhur. Në vitin 867 u shugurua prift në Romë; për 22 vitet e ardhshme, punoi me Cirilin dhe Metodin (dy misionarë të tjerë të krishterë vendas) në përkthimin e Biblës në sllavishte dhe e përhapi atë në Moravi dhe Pannonia. Për krishtërimin e sa më shumë sllavëve, misionerët krijuan një alfabet në përputhje me tiparet e gjuhës, dhe më pas Cirili do të krijonte alfabetin e quajtur cirilik (sipas emrit të tij), që përdoret ende nga shumë gjuhë sot. Në vitin 905 në brigjet e liqenit të Ohrit, Naumi themeloi një manastir i cili vazhdon të mbajë emrin e tij; edhe trupi i tij është varrosur aty. Në shekuj, manastiri provoi disa zotërime; bullgar, shqiptar, grek, serb, osman; ishte pjesë e Shqipërisë për një periudhë të shkurtër prej vitit 1912 deri me 28 qershor 1925, kur Ahmet Zogu ia dorëzoi Jugosllavisë, si gjest vullneti të mirë. Sot, manastiri i Shën Naumit është një nga destinacionet turistike më të njohura në Maqedoni, Ballkan, Evropë e më gjerë.

1823 – Poezia “A Visit from St. Nicholas”, e njohur edhe si “The Night before Christmas”, botohet për here të pare, në mënyrë anonime, në gazetën New York Sentinel. Vargjet e saj janë cilësuar si "më të bukurat mbi Krishtlindjet të shkruara ndonjëherë nga një amerikan". Poezia e botuar pa emër autori, më më pas doli se ishte e dijetarit Clement Clarke Moore, i cili pranoi autorësinë kur e përfshiu në antologjine e punimeve të tij me titull “Poems” më 1844, me këmbënguljen e fëmijëve të tij, për të cilët ai e kishte shkruar. Duke pasur parasysh reputacionin e tij publik si profesor e dijetar, Moore, studiues, historian, nuk kishte dashur të njihej si autor një poezie të tillë ku flitej për Shën Kollin, i cili vjen një natë para Krishtlindjeve me karrocën tërhequr nga drerët për të shpërndarë dhurata në çdo shtëpi. Clement Clarke Moore (1779 – 1863) ishte profesor i letërsisë klasike dhe studiues orientalist në kolegjin Columbia (universiteti Columbia, Nju Jork). Veçanërisht shqiptarët duhet t’a njohin atë; më 1850, Clement Clarke Moore shkroi librin “George Castriot, Surnamed Scanderbeg, King of Albania”, promovim i shkëlqyer i heroit kombëtar shqiptar mes amerikanëve, disa dekada para se pasardhësit e tij të zbulonin Amerikën (shqiptari i parë mendohet të ketë emigruar në Amerikë nga fundi i viteve 1800). Parku Clement Clarke Moore, në 10 Avenue dhe 22 Street, Nju Jork, u përurua më 22 nëntor 1968. Ky park është mjaft i preferueshëm për shlodhje çdo ditë, por të dielën e fundit të para Krishtlindjeve, banorë e vizitorë të Nju Jorkut mblidhen aty për të lexuar poemën “The Night Before Christmas.”

1950 – Papa Pius XII shpall se arkeologët në Romë kishin zbuluar një varr nën bazilikën e Shën Pjetrit që mund të jetë varri i shenjtorit. Pas zbulimit të eshtrave të tjera dhe të një mbishkrimi, më 26 qershor 1968, Papa Pali VI deklaroi se eshtrat e Shën Pjetrit ishin identifikuar plotësisht.

1954 – Transplantimi i parë i suksesshëm i veshkave u krye nga mjekët J. Hartwell Harrison dhe Joseph Murray, në Boston, në Spitalin Brigham. Procedura u bë mes binjakëve identik Ronald dhe Richard Herrick për të eliminuar çdo problem nga ndonjë reaksion i sistemit imun. Për këtë dhe punën e mëtejshme në fushën e transplantit, Dr Murray u nderua me çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 1990. Marrësi i veshkës, Richard Herrick, vdiq tetë vjet pas transplantimit.

Mendim i ditës
“Bëni zakon një prej te dyjave: ndihmoni tjetrin, ose të paktën mos i bëni keq.”
Hipokrati
XS
SM
MD
LG