563 - Kisha bizantine Hagia Sofia në Konstandinopojë u bekua për herë të dytë pas shkatërrimit nga tërmetet. Hagia Sophia, Shën Sofia, Hyjnia e Urtësisë a Urtësia Hyjnore ka qenë kishë patriarkale ortodokse greke, më pas xhami perandorake osmane, dhe tani muze në Stamboll. Nga dita e ndërtimit në vitin 537 deri më 1453, Shen Sofia shërbeu si katedrale ortodokse dhe seli e Patriarkanës së Konstandinopojës, përveç nga viti 1204 deri më 1261 kur u kthye në katedrale katolike nën sundimin e Perandorisë romake Latine ose perendimore. Kisha e Shën Sofisë shërbeu si xhami nga 29 maj 1453 deri në 1931, kur u sekularizua, dhe u hap si muze më 1 shkurt 1935.
1851 – Washington DC - Digjet Biblioteka e Kongresit. Në prag të Krishtlindjeve, një shkëndijë nga një sobë në Bibliotekën brenda Kapitolit shkaktoi zjarr dhe djegien e shumë prej koleksionit të Bibliotekës. Pas zjarrit, arkitekti Thomas Walter krijoi dhomën e parë metalike të padepërtueshme nga nxehtësia a zjarri. Kjo dhomë mbeti në përdorim për 46 vjet, deri në 1897, kur Biblioteka e Kongresit u vendos në ndërtesën e njohur tani si Thomas Jefferson Building.
1865 – SHBA: Themelohet Ku Klux Klani (KKK), grup i njohur ndryshe si Klan ose Urdhër i Maskuar (nga maskat e bardha që mbajnë anëtarët e saj për të mbuluar fytyrën gjatë veprimeve terrorizuese). Kej-Kej-Kej është mbrojtës i rrymave esktreme raciste të tilla si supremacia e bardhë, nacionalizmi e bardhë, dhe anti-emigracioni, të shprehura historikisht përmes frikës dhe terrorit. Që nga mesi i shekullit të 20, Ku Kluks Klani ka qenë edhe anti-komunist. Tani kjo organizatë është ndarë në degë pa lidhje me njëra tjetrën. Klani është klasifikuar si grup nxitës i urrejtjes nga ana e Lidhjes Amerikane të Anti-Shpifjeve. Sipas vlerësimeve, në vitin 2012 KKK kishte rrreth 8-mijë anëtarë.
1924 - Shqipëria shpallet republikë: Ahmet Zogu hyri triumfalisht në Tiranë pas rrëzimit të Fan Nolit. Deri atëherë Shqipëria ishte principatë. Zogu i kërkoi parlamentin për të përcaktuar një sistem qeverisës. Parlamenti miratoi shpejt një kushtetutë të re, shpalli Shqipërinë republikë, dhe i dha Zogut kompetenca të pakufizuara (diktatoriale). Kushtetuta parashikonte një republikë parlamentare me një president të fuqishëm si në krye të shtetit edhe të qeverisë. Asambleja Kombëtare e zgjodhi Ahmet Zogun president për një mandat shtatë-vjeçar, dhe po kjo Asamble, me pak ndryshime kushtetore, e shpalli Zogun mbret më 1 shtator 1928. Deri në vitin 1991, Zogu ishte i vetmi shqiptar që kishte mbajtur titullin "President i Repubikës". Gjatë viteve të komunizmit Shqipëria kishte Kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
1943 - Lufta e Dytë Botërore: Generali amerikan Dwight D. Eisenhower caktohet Komandanti i Lartë i forcave Aleate në Evropë. Ai ishte përgjegjës për planifikimin dhe mbikëqyrjen e pushtimit të Afrikës së Veriut në Operacionin Torch më 1942-43) dhe pushtimin e suksesshëm të Francës dhe Gjermanisë (1944-45). Në vitin 1951, u bë komandanti i parë i lartë i NATO-s. Eisenhower ishte nga Pensilvania; të parët e tij kishin emigruar nga Holanda për arsye fetare. Eisenhower u diplomua nga akademia ushtarake West Point; pas Luftës së Dytë Botërore, shërbeu si Shefi i Shtabit të Ushtrisë nën Presidentin Harry S. Truman; pastaj mori postin e Presidentit të Universitetit Kolumbia; u zgjodh president i 34 i Shteteve të Bashkuara; shërbeu për dy mandate (1953 – 61); vdiq në vitin 1968, në moshën 79 vjeçare.
Mendim i dites
“Një shtet nuk është shtet, nëse i takon vetëm një njeriu.”
Sofokliu