Lidhje

Snowden: Kam përmbushur misionin


Snowden
Snowden
Ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA, Edward Snowden thotë se e ka përmbushur misionin e tij, me nxjerrjen e detajeve të programeve të përgjimit të kësaj agjencie.

Snowden, i cili jeton në Rusi, ku i është dhënë strehim i përkohshëm, i tha gazetës Washington Post se "misionin e tij e quan të përmbushur" sepse publiku tashmë është në dijeni të programeve të përgjimit dhe mund t'i trajtojë ato si të dëshirojë.

Gjatë intervistës nga Moska, ku jeton, Snowden tha se ligjvenësit amerikanë nuk i mbikqyrën aktivitetet e përgjimit dhe këto programe agresive i kanë mbajtur larg syve të publikut.

Në përgjigje të komenteve të tij, një ligjvenës i Komisionit të Çështjeve të Zbulimit i tha Zërit të Amerikës, se Snowden mund të jetë gjithshka, por jo dashamiras dhe patriot, dhe se ai ka vënë jetë amerikanësh në rrezik.

Ligjvenësi republikan Peter King tha se Snowden ka ndihmuar armikun që t'i përshtatet taktikave që përdor Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Ligjvenësi Kinga tha se ish punonjësi i NSA, ka shkelur betimin, ka tradhëtuar vendin e tij dhe nuk meriton gjë tjetër veç përbuzjes.

Snowden i bëri fillimisht të ditura detajet për programet e përgjimit në gazetat Washington Post dhe the Guardian. Një nga sekretet e bëra publike ishte fakti që NSA kishte mbledhur tabulate telefonike të miliona amerikanëve. Më 16 dhjetor, një gjykatës amerikan arriti në përfundimin se programi kishte gjasa të ishte jokushtetues.
XS
SM
MD
LG