Lidhje

Histori: Çfare ka ndodhur me 28 dhjetor?


Westminster Abbey
Westminster Abbey
1065 - Në Londër, shenjtërohet Manastiri Westminster, i njohur si Westminster Abbey. Sipas gojëdhënës, më shumë se 1 mijë vjet më pare, një peshkatar në lumin Thames pa vizionin e Shën Pjetrit në breg. Manastiri u ngrit pikërisht në vendin ku u shfaq Shën Pjetri; kjo është arsyeja përse peshkatarët e kanë bërë zakon që t’i dhurojnë peshq salmon çdo vit këtij manastiri. Historikisht, Westmister Abbey u themelua në vitet 960 nga Shën Dunstan, i ndihmuar nga mbreti Edgar, për të strehuar një komunitet murgjësh. Në vitin 1042, mbreti Edward filloi restaurimin a rindërtimin e manastirit të Shën Pjetrit në Westminster Abbey. Punimet përfunduan në vitin 1090, por objekti u shenjtërua më parë, 28 dhjetor 1065, vetëm një javë para vdekjes së mbretit Edward më 5 janar 1066. Një javë më vonë mbreti u varros në këtë kishë, dhe nëntë vjet më vonë gruaja e tij, Edith u varros pranë tij. Që nga ajo kohë, monarkët britanikë janë varrosur në Westminster Abbey.

1612 - Galileo Galilei bëhet astronomi i parë që vëzhgon planetin Neptun, ndonëse ai gabimisht e quajti atë një yll të palëvizshëm. Për këtë arsye, Galilo nuk njihet si zbuluesi i Neptunit, megjithëse disa shkencëtarë thonë se në shënimet e tij, astronomi italian thotë se ylli dukej sikur lëvizte, siç është veçoria e planeteve.

1832 - John C. Calhoun bëhet i pari nënpresident i Shteteve të Bashkuara që jep dorëheqjen. Ai ishte në konflikt me presidentin Andrew Jackson rreth të drejtës së shteteve për t'u shkëputur nga Unioni. Kalhoun argumentonte se një shtet kishte të drejtë për t'u shkëputur, nëse i rrezikohej liria dhe sovraniteti. Presidenti Jackson mbronte idenë federaliste se asnjë shtet nuk kishte të drejtë të shfuqizonte ligjin federal. Gjatë një darke zyrtare, presidenti Jackson ngriti një dolli dhe thirri: "Bashkimi federal, duhet të ruhet. " - dhe nënpresidenti Kalhoun përgjigj: " Për Bashkimi, po - por krahas lirisë, që është më e dashur." Pas kësaj, Jackson i kërkoi dorëheqjen dhe Kalhoun u largua. Ai vdiq në vitin 1850, pa arritur të shohë Luftën Civile amerikane të viteve 1860, le cila u shkaktua kur disa shtete u përpoqën të shkëputeshin, duke thënë se sovraniteti dhe liritë e tyre ishin shkelur nga qeveria federale.

1836 - Spanja njeh pavarësinë e Meksikës. Ky territor kishte rënë në duart e Spanjës në gusht të vitit 1521, kur Hernan Kortes dhe ushtria e tij përmbysi perandorinë Azteke. Nën urdhrat e mbretit spanjoll, Charles V, Kortes themeloi një kryeqytet (Mexico) - në vendbanimin e fisit Tenochtitlan. Pushtimi i Spanjës nga Napoleoni më 1808-1813, nxiti kolontië spanjolle të ngrinin krye. Meksikanët e filluan kryengritjen për pavarësi më 16 shtator 1810, kur një prifti katolik nga fshati Dolores lëshoi thirrjen për çlirim nga sundimi kolonial. Meksika është ndoshta i vetmi vend në botë që doli nga perandoria për t’u bërë perandori; dhe ditën e fillimit të luftës për pavarësi e feston si ditën e pavarësisë; sepse Meksika u shpall e pavarur dhe njëkohësisht perandori pas 11 vjetësh, më 28 shtator 1821, kur forcat meksikane hynë në kryeqytetin Mexiko.

1846 - SHBA: Iowa pranohet si shtetin e 29-të i Shteve të Bashkuara SHBA. Iowa është i vetmi shtet amerikan kufijtë e të cilit janë formuar plotësisht nga lumenj. Iowa kufizohet nga shtetet Wisconsin dhe Illinois në lindje, Missouri në jug, Nebraska dhe Dakota e Jugut në perëndim, dhe Minesota në veri. Iowa quhet ndonjëherë "zemra amerikane". Ky territor, dikur koloni franceze, pas blerjes së Luizianes, u bë hambar bujqesor i Shteteve të Bashkuara. Kryeqyteti i saj është Des Moines. Iowa është cilësuar si një nga vendet më të sigurta për të jetuar.

1914 – Franca dhe Rusia protestojnë pranë Italisë, pasi trupat e saj kishin pushtuar Vlorën dhe ftota italiane kontrollonte portin. Italia u justifikua se ushtria kishte hyrë në Vlorë me kërkesën e Esad Pashë Toptanit, ndërsa Shqiperia po përfshihej nga anarkia. Historianët thonë se Italia kishte vepruar për t’i treguar Austrisë se nëse Viena nuk ndalte sulmin ndaj Serbisë, Roma si kundër-përgjigje do të vazhdonte përparimin në territorin shqiptar.

Mendim i ditës
“Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë.”
Immanuel Kant
XS
SM
MD
LG