Lidhje

Serbia dhe Maqedonia hapin qendrën e kontaktit


Serbia dhe Maqedonia hapën sot qendrën e kontaktit në kufirin midis dy vendeve, në pikë-kalimin e Tabanocit. Kryeministri serb Ivica Daçiç, në cilësinë e ministrit të Brendëshëm dhe kolegia e tij maqedonase Gordana Jankullovska thanë se e vunë në përdorim këtë qendër, për thellimin e bashkëpunimit midis policive të dy vendeve, si dhe për qarkullimin më të mirë të udhëtarëve dhe mallrave.

Në këtë vendkalim zakonisht ka probleme me emigrantët e paligjshëm aziatikë dhe sipas zyrtarëve serbë dhe maqedonas, kjo mund të mënjanohet me anë të shkëmbimit të shpejtë të informacioneve në mes policive. Ivica Daçiç tha se qendra do t’i shërbejë policisë sidomos gjatë sezonit veror kur shumë shtetas serbë vijnë në Maqedoni për turizëm.

Sistemi i komunikimit të ndërsjellë mbështetet në Konventën e Vjenës për bashkëpunimin policior të vendeve të Ballkanit jugperëndimor. Ndërkohë, projekte të tilla në fushën e sigurisë midis Shkupit dhe Beogradit ngjallin shqetësim tek opozita shqiptare në Maqedoni, e cila thotë se policisë serbe, të cilën ajo e konsideron si kriminale, po i krijohet mundësi që të veprojë lirshëm në Maqedoni dhe mes shqiptarëve të atjeshëm.
XS
SM
MD
LG