Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 5 janar?


Meshari i Gjon Buzukut
Meshari i Gjon Buzukut
1555 - 1555 - Gjon Buzuku përfundoi veprën e tij që njihet si "Meshari". E kishte filluar më 20 mars 1554 (viti 2014 shënon 460-vjetorin). Ja si shkruan Buzuku te Pasthënia: Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V.(1555) ndë kallënduor V dit. (Emil Lafe).

Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqipe. Kush ishte, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur përgjigje të plotë. Por dihet për vështirësinë që Buzuku hasi, për punën, qëllimin dhe për kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet, dhe këtë e mësojmë vetëm nga pasthënia e librit.
Gjon Buzuku ishte famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Libri i plotë ka pasur 110 fletë (220 faqe), por, ashtu siç na ka arritur sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera përmes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj.
Libri duket se i përket rrymës protestante, pasi ka qenë në listën e librave të ndaluar nga kisha katolike e Romës. Pra, përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare.
Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Ishte koha kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizjE që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo ishte në kundërshtim me urdhrat e Vatikanit.
Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për të penguar islamizmib e popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare. Ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës që besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare: U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom (që të jetë dëgjuar) n së Shkruomit shenjtë, n së dashunit se botësë sanë desha me u fëdigune për sa mujta me ditune, me zdritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që të ndiglojinë.
Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj, Meshari ishte një vepër e humbur, e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides në Romë Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova, atë kohë arqipeshkëv i Shkupit. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi në Biblotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot.
Me 1929 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën Kombëtare në Tiranë. Më 1955, me rastin e 400-vjetorit të "Mesharit", Instituti i shkencave në Tiranë organizoi një sesion shkencor të posaçëm. I ngarkuar nga Instituti, gjuhëtari i njohur Eqrem Çabej përgatit botimin kritik të "Mesharit" në dy vëllime (vëll. i parë Hyrje studimore dhe transliterim; vëll. i dytë fotokopja e origjinalit dhe transkriptim). Vepra qe bërë gati për shtyp më 1958, por për vështirësi teknike arriti të botohet më 1968 nga Akademia e shkencave e Rumanisë. Në studimin hyrës të vëllimit të parë, E. Çabej flet gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit. "Meshari" i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, shkencëtarët vërejnë zhvillime të ndryshme që ka pësyar gjuha shqipe që nga shekulli XVI e deri më sot, si dhe mënyrën sesi mund të ketë ndryshuar ajo që nga ilirishtja e largët dhe prirjet për ndryshime të mundshme në të ardhmen.

1913 - Lufta e Parë Ballkanike: Gjatë betejës së Lemnos, admirali grek Pavlos Konduriotis detyron flotën turke të tërhiqet në bazën e saj të Dardaneleve, prej nga mbeti e pa aktivizuar gjatë gjithë luftës.

1914 - Lajme nga fronti i punës: Kompania Ford Motor e Henry Fordit shpall me krenari një pagë të re ditore minimale prej 5 dollarësh dhe një ditë pune prej 8 orësh.

1919 - Themelohet Partia e Punëtorëve gjermanë - Më 1920 ajo do të quhej Partia Naziste, dhe pas një viti, Adolf Hitler do të bëhej kryetar i saj. Në vitin 1933, Hitleri u emërua Kancelar i Gjermanisë dhe shumë shpejt krijoi një regjim totalitar i njohur si Rajhu i Tretë. Pas disfatës së Rajhut në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Evropë partia Naziste shpallet e jashtligjshme nga fuqitë aleate.

1933 - Fillon ndërtimi i urës Golden Gate (Porta e Artë) për të lidhur dy brigjet e gjirit të San Franciskos. Ngjyra e urës është portokalli, sepse plotëson mjedisin natyror dhe rrit dukshmërinë e urës në mot me mjegull. Para ndërtimit të urës, e vetmja rrugë e shkurtër mes San Francisko dhe kontesë Marin ishte me anije. Shërbimi traget filloi në vitin 1820. Ura Goldon Gate u përurua më 27 maj 1937. Festimet zgjatën një javë dhe vetëm brenda 1 dite rreth 200 mijë njerëz e kaluan atë në këmbë. Trafiku për automjete do të lejohej më vonë.

1943 – Gazeta shqiptare - amerikane Dielli boton tekstin e një telegrami që krypeshkop Fan Noli i kishte dërguar në dhjetor 1942, Anton Logorecit në Londër, i cili mbante lidhje me Komitetin Shqipëria e Lirë themeluar në Boston nga Çekrezi. Në telegramin e tij Fan Noli i drejtohej Logorecit me këto fjalë: “Në këtë situatë emergjente, ata që kundërshtojnë mbretin Zog si kryetar legjitim të një qeverie shqiptare në megrim, me një vend në Konferencën e Paqes, bëjnë pavetëdije lojën e armiqve të Shqipërisë. Ju bëj thirrje juve dhe miqve tuaj për të sheshuar mosmarrëveshjet me mbretin Zog si e keqja më e vogël deri në konferencën e ardhshme të paqes dhe përkrahni Frontin e Bashkuar shqiptar, që ështe e vetmja mënyrë për të ndihmuar sa më mire si Shqipërinë edhe Kombet e bashkuara, për të garantuar tërrësine tokësore të Shqipërisë”. Thuajse një vit më pare (1942), në Uashington, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se Pakti kundër Fuqive të Boshtit ishte nënshkruar nga 26 vende. Por as Etiopia dhe as Shqipëria (vendet e para të pushtuara nga Italia anëtare e Boshtit) nuk ishin ftuar për të nënshkruar dokumentin. Presidenti Ruzvelt, thuhet se, iu drejtua Çurçillit: “Winston, kemi harruar Zogun”. Megjithatë, mbreti Zog nuk vonoi, dhe i telegrafoi Ruzveltit se Shqipëria bashkohej me Deklaratën e Washingtonit pa asnjë mëdyshje

1953 - Në Queens të Nju Jorkut lindi George Tenet, ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit. I ati i tij nga fshati Qeparo i Shqipërisë u vendos fillimisht në Francë ku punoi në një minierë qymyri para se të emigronte përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Tenet u rrit në lagjen Queens, ku krey edhe shkollën e mesme, ndërkohë që punonte si pjata-larës në restorantin e vogël të familjes. Tenet u diplomua nga Universiteti Georgetown në vitin 1976 dhe mori një diplomë Master për Çështje Ndërkombëtare nga Universiteti Columbia në vitin 1978. Pas shume vite pune në Kongres e Senat si këshilltar pranë komisionit për çështje të zbulimit, Tenet u caktua në postin e drejtorit të CIAs ne korrik 1997 deri në korrik 2004, duke u bërë drejtori dytë me qëndrim më të gjatë në këtë detyrë, pas Allen Welsh Dulles, si dhe një nga pak drejtorët e CIAs që u kanë shërbyer dy presidentëve të dy partive kundërshtare, demokrat e republikane. Nga shkurti i vitit 2008, George Tenet është drejtor i Bankës Tregtare Allen & Company.

1957 - Në një fjalim për Kongresin, Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower shpall krijimin e asaj që më vonë do të quhej Doktrina Eisenhower, sipas së cilës, një vend mund të kërkojë ndihmën amerikane nëse ndjehej i kërcënuar ushtarakisht nga një shtet tjetër. Eisenhower veçoi kërcënimin sovjetik në Doktrinën e tij, duke autorizuar angazhimin e forcave amerikane "për të siguruar dhe mbrojtur integritetin territorial dhe pavarësinë politike të vendeve nëse ato kërkonin ndihmë kundër agresionit të armatosur nga komunizmi ndërkombëtar".

1968 - Alexander Dubçek vjen në pushtet: "Pranvera e Pragës" fillon në Çekosllovaki .
.
1972 - Presidenti amerikan Richard Nixon urdhëron zhvillimin e një programi për vajtje ardhje në Hapësirë. Presidenti tha se NASA do të vazhdojë zhvillimin e një sistemi ripërdorues të anijeve hapsinore me kosto të ulët - dhe nënshkroi ligjin që autorizonte, jo pak, por 5 presje 5 miliardë dollarësh për këtë qëllim.

Mendim i ditës
“Kemi dy veshë dhe një gjuhë në mënyrë që të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak”.
Diogjeni
XS
SM
MD
LG