Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 10 janar?


Caesar Crossing the Rubicon
Caesar Crossing the Rubicon
49 pes - Jul Cezari kalon Rubikonin, duke sinjalizuar fillimin e luftës civile romake. Rubikon është një lum i cekët në Itali verilindore, rreth 80 kilometra i gjatë, nga malet Apenine në detin Adriatik. Rubico nga latinishtja “rubeus" do të thotë "i kuq". Lumi është quajtur Rubicon për shkak të ujërave të kuq nga dheu ose balta (nga Rubico rrjedh edhe "rubrikë", vend i veçantë në gazetë rrethuar me vija të kuqe, ose titull i nënvizuar me vijë të kuqe për të tërhequr vemendjen e lexuesit; ose emertimi "Rubik" i pasur me "bakër", mineral që i jep dheut ngjyrë të kuqe. Shprehja "Kalim i Rubikonit", "kalim i vijës se kuqe, do të thotë se ngjarjet kanë kaluar një pikë pa kthim, se diçka e pashmangshme do të ndodhë. Sipas historianit romak Suetonius, kur të gjithë ushtarët kishin dalë në bregun tjetër, Cezari mërmëriti "alea iacta est" "guri (i lojës) është hedhur".
1776 - Thomas Paine boton pamfletin Gjykim i Thjeshtë (Common Sense) me të cilin ai u paraqet kolonëve amerikanë argumentin për çlirim nga sundimi britanik, në një kohë kur pavarësia ishte çështje dite. Shumica e kolonëve në Amerikë ishin me prejardhje britanike, dhe e kishin të vështirë për të konceptuar sesi mund të kërkonin pavarësi nga vendi i prejardhjes. Amerikanët ishin të përçarë e në luftë; vëllai kundër vëllait, ati kundër birit, ndërsa ata që kërkonin pavarësi cilësoheshin tradhtarë nga Britania (p.sh., Benjamin Franklin, një nga themeluesit e SHBA-së, kishte në anë të kundërt djalin e tij të vetëm, William, i cili luftonte përkrah britanikëve kundër pavarësisë së Amerikës). Në pamfletin “Common Sense”, Thomas Paine shkroi thjeshtë, pa fjalë të mëdha, pa fjalë të huaja; ai arsyetoi qartë në një stil e gjuhë që njerëzit e thjeshtë t’a kuptonin; hoqi dorë nga termat filozofike dhe shprehjet latine, të përdorura nga shkrimtarë të kohës së Iluminizmit; Paine e mbështeti argumentin e pavarësisë në referencat fetare për t'u kuptuar nga të gjithë. Ai e krahasoi krijimin e një kombi të ri me krijimin e besimeve fetare, me Zot të përbashkët, por të pavarur në mënyrën e besimit. Paine e lidhi çështjen e pavarësisë si komb me pavarësinë e besimeve protestante për të krijuar një identitet të ri. Historianët e kanë cilësuar "Common Sense" si pamfletin më frymëzues të epokës së Revolucionit Amerikan.
1810 - Napoleon Bonaparte ndahet nga gruaja e tij e parë, Josefinë, për shkak se nuk bënin fëmijë. Pas kësaj ai u martuar me Marie Louise të Austrisë. Josefina kishte marrë letra të shumta dashurie nga Napoleoni, shumë prej të cilave ende ekzistojnë. Jozefina, e pasionuar pas luleve, ishte e njohur për kopështin e trëndafilave në vilën e saj, Chateau de Rueil, me lloje trëndafilash nga e gjithë bota, për të cilat kujdesej vetë.
1870 - John D. Rockefeller themelon në Ohajo korporatën Standard Oil, nxjerrësja dhe përpunuesja më e madhe e naftës në botë. Historia e saj si një nga korporatatat e para dhe më e madhja shumëkombëshe përfundoi në vitin 1911, kur Gjykata e Lartë e Shtetet e Bashkuara vendosi se Standard Oil ishte një monopol i paligjshëm. Si rrjedhim, korporata u shpërbë në 33 kompani të vogla, dhe Rockefeller u bë njeriu më i pasur në botë.
1920 -Traktati i Versajës hynë në fuqi, duke i dhënë fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore.
1941 - Lufta italo - greke: Ushtria greke, në ndjekje të forcave italiane, merr kontrollin e Këlcyrës; trupat greke tërhiqen prej andej në prill kur Gjermania dërgon trupa për t'i ardhur në ndihmë Italisë.
1946 - Asambleja e parë e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara hapet në Londër; marrin pjesë përfaqësues të 51 vendeve.
1946 – Në Tiranë fillon punimet Asambleja Kushtetuese ose Konstituive. Nga vendimi i saj do të varej e ardhmja e Shqipërisë për 45 vitet e ardhshme. Para sesionit të hapjes, Enver Hoxha, veshur me uniformën e gjeneralit, shkoi në Aeroportin e Tiranës (Laprakë), si Kryeministër dhe ministër Jashtëm, për t’i uruar mirëseardhjen ambasadorit të ri sovjetik, Shuvakin, dhe shefit të misionit ushtarak sovjetik, Sokolov. Pas paraqitjes së letrave kredenciale dhe pranimit të tyre nga Hoxha, i dërguari i Kremlinit mori në dorëzim selinë e ambasadës, për të cilën ishte përzgjedhur ish-rezidenca e Françesko Jakomonit, mëkëmbësi i mbretit italian në Shqipëri gjatë periudhës së aneksimit fashist.
1962 - Programi Apollo: NASA njofton planet për të ndërtuar mjetin C - 5 për nisjen e raketave. Ky mjet u bë i njohur si raketa Saturn V, që nisi në orbit çdo raketë të misionit Apollo në Hënë.
1984 - Shtetet e Bashkuara dhe Selia e Shenjtë (Vatikan) rivendosin marrëdhënie të plota diplomatike pas pothuajse 117 vjetësh, duke shfuqizuar vendimin Kongresit të vitit 1867 që ndalonte financimin e një misioni përfaqësimi amerikan në shtetin katolik.
Mendim i ditës
“Nëse duhet të ketë probleme, le të ndodhin në ditët e mia, që fëmija im të mund të jetojë në paqe.”
Thomas Paine
XS
SM
MD
LG