Lidhje

Rama: Sistemi i Drejtësisë një ferr


Në Shqipëri sot shumica e majtë kujtoi ngjarjen e 21 janarit të tre viteve më parë duke nderuar katër protestuesit që mbetën të vrarë gjatë përleshjeve të dhunshme përpara selisë së qeverisë.

Duke folur përpara familjarëve të viktimave kryeministri Edi Rama drejtoi gishtin mbi Drejtësinë duke e cilësuar atë si “ferrin që ende nuk ka ndryshuar” dhe duke u angazhuar për reformën e këtij sistemi, e cila sipas tij është një imperativ i kohës. Në vendet ku mbetën të vrarë më 21 janarin e 2011, katër manifestuesit që i ishin bashkuar protestës së opozitës sot ishin vendosur pllaka bronxi, ndërsa pranë fotografive të tyre si cdo vit u vunë lule nga famijarët, të shoqëruar nga kryeministri Edi Rama. Me herët ai i kishte pritur familjarët në selinë e qeverisë.

Zoti Rama foli për “një pushkatim pa gjyq” të katër qytetarëve të cilët u vranë në pika të ndryshme larg kangjellave që rrethonin kryeministrinë. Zoti Rama vuri theksin te nevoja e ndërhyrjes në sisitemin e Drejtësisë, duke deklaruar se mandati i marrë më 23 qershor “është një mandat për t’i dhënë kuptimin e humbur fjalës drejtësi. Por edhe, padyshim, për të luftuar me çdo mjet, kushtetues edhe ligjor, që drejtësia të bëjë drejtësi” u shpreh ai duke përdorur më pas tone të forta: “Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i padrejtësisë së përgjakshme, por një nga shumë gjërat që nuk ka ndryshuar, më e rënda dhe më fyesja për Shqipërinë në mes të Evropës, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë. Një sistem drejtësie që jo vetëm Shqipëria, por gjithë bota e sheh si kërcënim antidemokratik për Shqipërinë. Koha nuk pret, por më shumë akoma, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim, me plot të drejtë, përballë shfaqjes së përditshme të këtij ferri përqeshës".

Reforma e thellë e drejtësisë është imperativi i kësaj kohe dhe vendosja e drejtësisë mbi binarët e Kushtetutës dhe të ligjit është ultimatumi i popullit sovran, në 23 qershorin e vitit që sapo lamë pas, për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane Procesi i 21 janarit është tani në dyert e Gjykatës së Lartë.

Të akuzuar janë vetëm dy persona, ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe ish drejtuesi i njësive speciale Agim Llupo. Ndonëse për ta prokuroria kërkoi nga 23 deri 25 vite burg, gjykata e Apelit, i dënoi për vrasje aksidentale me disa muaj deri 1 vit burgim, ndërkohë që më parë ajo e Tiranës i kishte shfajësuar.

Një ditë më parë Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha se ende vazhdojnë hetimet për një pjesë të atyre ngjarjeve: “Ajo që është pjesa më e rëndësishme në këtë diskutim, janë faktet ende të pazbardhura për njërën prej vrasjeve dhe veprimet arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve. Siç jeni në dijeni, për zbardhjen e këtyre elementëve të hetimit ka një angazhim të Prokurorisë së Përgjithshme. Duhet të theksoj se hetimi është gjithëpërfshirës, ku përfshihen edhe ato pikëpyetje, për të cilat ka ndjeshmëri të lartë në media dhe në opinionin publik".

Këtë vit në përkujtimin e kësaj ngjarjeje ishin edhe përfaqësuesit e Lëvizjes socialiste për Integrim, të cilët tre vite me parë ishin pjesë e qeverisë së kryeministrit Sali Berisha e që në atë kohë nuk i kursyen akuzat ndaj protestuesve. Protesta e 21 janarit u ushqye dhe nga publikimi në atë kohë i videos Meta-Prifti. “Kemi ardhur të përkujtojmë këtë ditë dhe të respketojmë ata njerëz që kanë humbur hetën. Nuk kemi ndryshuar asnjë qëndrim lidhur me shkuarjen deri në fund për nxjerrjen e të vërtetës së plotë e të paanshme se kështu mund të jenë më të qetë jo vetëm ata që dhanë jetën, jo vetëm ata që protestuan por të gjithë shqiptarët”, deklaroi Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së.

Për ngjarjen reagoi në facebook edhe ish kryeministri Sali Berisha. Duke shprehur ngushëllimet për viktimat, ai ju përmbajtj të njejtit version, përpjekjes sipas tij nga ana e socialistëve për marrjen e pushtetit me dhunë, ndërsa vlersoi punonjësit e gardës të cilët sic thekson ai mbrojtën me heroizëm institucionet. I pyetur për 21 janarin, kryetari i opozitës Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Brendshëm deklaroi shkurt se “Pasojat e 21 janarit nuk mund të ndahen kurrë nga shkaku, shkaktarët dhe organizatorët e 21 janarit, që sot përdhosën kujtimin e viktimave të 21 janarit".

XS
SM
MD
LG