Lidhje

Përsëri trazira për anëtaret e grupit rus Pussy Riot


Dy anëtare të grupit të muzikës punk rock Pussy Riot, janë liruar pasi u ndaluan nga policia në Soçi, qyteti rus ku po mbahen Lojrat Olimpike Dimërore.

Nadezhda Tolokonnikova dhe Maria Alyokhina u liruan sot, pasi u morën në pyetje lidhur me një vjedhje në një hotel. Autoritetet nuk ngritën akuza ndaj aktivisteve, që të dyja kritike të ashpra të qeverisë ruse.

Të paktën gjashtë persona të tjerë që u arrestuan me to sot, u lanë të lirë.
Sot më herët Tolokonnikova tha në Twitter se ajo dhe Alyokhina ishin ndaluar në qendër të Soçit dhe ishin akuzuar për një vepër penale që nuk është bërë publike.

Tolokonnikova tha se ato thjesht po ecnin në rrugë, kur u kapën dhe se ato nuk ishin të angazhuara në ndonjë protestë.

Dy anëtaret e grupit, u liruan kohët e fundit pas dy vjetësh ndalim për huliganizëm, pasi kishin interpretuar një këngë proteste kundër qeverisë së Presidentit Vladimir Putin në katedralen kryesore të Moskës.
XS
SM
MD
LG