Lidhje

Shkarkimi i drejtueses së ILDKP, Zana Xhuka


Në Shqipëri Komisioni parlamentar i Ligjeve votoi sot në mbështetje të kërkesës së 51 deputetëve të shumicës së majtë për shkarkimin e drejtueses së Inspektoriatit të Lartë të Verifikimit të Pasurive Zana Xhuka
Ky është vendimi i dytë për shkarkimin e zonjës Xhuka pas atij të para disa javëve i cili u mbështet në raportin e kontrollit të disa deputetëve socialistë. Këtë herë, sipas nismës së parlamentarëve të shumicës, shkak për shkarkim përbën fakti që sipas tyre, emërimi i saj në fundin e vitit 2012 është bërë në shkelje të kritereve të parashikuara në ligj.
Zonja Xhuka ishte ftuar të mbronte pozicionin e saj sot në Komision, por nuk u paraqit. Sipas përfaqësuesve të shumicës ishte i turpshëm injorimi për të disatën herë që ajo i ka bërë parlamentit duke qenë se dhe për mbledhjen e sotme ajo nuk kishte njoftuar mospjesmarrjen.
Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë me përjashtim të demokristianit Nard Ndoka, dhe nënkryetarit demokrat të Komisionit Oerd Bylkbashi, i cili qëndroi vetëm për të shprehur pozicionin e opozitës për këtë cështje. Sipas zotit Bylkbashi bëhet fjalë për një sulm antikushtetues dhe antiligjor ndaj një institucioni të pavarur.
Vendimi përfundimtar për shkarkimin e zonjës Xhuka i takon seancës parlamentare.
XS
SM
MD
LG