Lidhje

Turqia forcon agjencinë e zbulimit


Parlamenti turk po shqyrton një ligj të ri, i cili zgjeron në mënyrë dramatike pushtetin e Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, që njihet me inicialet, MIT. Ligji i propozuar fuqizon agjencinë e zbulimit, për t'i dhënë asaj qasje ndaj të dhënave, përfshirë ato bankare, të kompanive dhe individëve. MIT po ashtu do të ishte e aftë të kryente operacione kundër çdokujt që konsiderohet se përbën "rrezik për sigurinë kombëtare".

Ligji i propozuar është bërë objekt kritikash të forta nga grupe të të drejtave të njeriut dhe mbrojtës të ligjit. Istar Gozaydin, profesor i juridikut në Universitetin Dogus të Stambollit, thotë se ky ligj në fakt do ta vendoste agjencinë mbi drejtësinë.

"Mos mbajtja e përgjegjësisë është një nga problemet më të mëdha që ka ky ligj: agjencia MIT bëhet thuajse e plotfuqishme. Sipas këtij ligji, në mënyrë që të fillojë hetimi ndaj një punonjësi të shërbimit të zbulimit, urdhërin duhet të japë kryeministri."

Përballë kritikave të forta qeveria ka bërë disa lëshime, duke hequr kontrollin e drejtpërdrejtë të agjencisë nga kryeministri. Po ashtu, ndëshikimi për personat që shkruajnë për aktivitetin e MIT-së u pakësua nga 12 vjet, në 9 vjet burgim.

Por kritikët thonë se ligji është shkruar në mënyrë të paqartë, duke e bërë të vështirë për njerëzit që të kuptojnë me saktësi se kush e shkel ligjin për raportim tek MIT.

Soli Ozel, komentator politik për televizionin Haberturk, thotë se këto paqartësi dhe niveli i lartë i ndëshkimeve synojnë të frikësojnë njerëzit.

"Kur i jep MIT-së kaq shumë pushtet, agjencia mund të bëjë shumë gjëra pa u ndëshkuar. Kjo ka patur një efekt frikësimi tek cilido që mund të ketë menduar të ngrejë kokën, ose të thotë hapur mendimin e tij. Ligji në vetvete më sjell në mend shtetet policore dhe mënyrën se si operojnë shërbimet e tyre. "

Por qeveria turke argumenton se zgjerimi i kompetencave të agjencisë është i nevojshëm në betejën kundër asaj që ajo e cilëson si ekzistencë e një shteti parallel në Turqi. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan citon me këtë rast përkrahësit e studjuesit islamik Fetullah Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ata kanë depërtuar tek sistemi i drejtësisë dhe tek policia dhe po përpiqen ta heqin atë nga pushteti përmes akuzave të pabazuara për korrupsion. Gulen i mohon me forcë këto thënie.

Dhjetorin e kaluar, prokurorët filluan disa hetime lidhur me akuzat për korrupsion dhe që nga ajo kohë, telefonatat që thuhet se janë regjistruar mes zotit Erdogan dhe djalit të tij, ku ata flasin për mënyrat se si t'i fshahin një sasi të madhe parash, janë publikuar në internet. Qeveria turke thotë se regjistrimet janë manipular me qëëlim dhe ka fajësuar për këtë zotin Gulen.

Vëzhguesit thonë se ligji i ri i zbulimit do t'ia lehtësojë agjencisë MIT përdorimin e forcës kundër lëvizjes së Gulenit.

Ky ligj pason hapat e qverisë për zgjerimin e kompetencave për kontrollin e gjyqësorit dhe internetit. Por Asli Aydintasbas, gazetar në gazetën turke Milliyet thotë se këto lëvizje ligjore në fund do të provohen se janë kundërproduktive për kryeministrin.

“Ai po përpiqet të kufizojë përdorimin e internetit, të gjyqësorit dhe të zgjerojë autoritetin e tij për agjencinë e zbulimit. Kjo po forcon perceptimin se Turqia po bëhet përherë e më tepër një shtet autoritar. Pra, ndërsa këto metoda mund ta ndihmojnë atë, duke i dhënë mjete për të luftuar prokurorët, apo përhapjen e lajmeve në internet, në afat të gjatë mendoj se ky është fillimi i rënies së tij."

Megjithë kritikat ndaj ligjit që zgjeron autoritetin e agjencisë së zbulimit, qeveria është përkushtuar në miratimin e ligjit, duke thënë se ai është i nevojshëm për sigurinë e vendit.

Kryeministri Erdogan akuzoi për regjistrimin e bisedave të tij me të birin fuqitë e huaja, pa bërë specifikime. Vëzhguesit thonë se trazirat që po ndodhin në jetën politike të Turqisë janë duke u thelluar.
XS
SM
MD
LG