Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 6 mars?


Rubairat
Rubairat
1079 - Omar Ibn Ibrahim al - Chajjam përfundon kalendarin Jalali (matje e kohës me anë të lëvizjes së yjeve). Por Khajami ishte i gjithëanshëm; shkencëtar, astronom, matematicien, shkrimtar, poet. Ai besohet të ketë shkruar rreth një mijë strofa katër-vargjëshe ose Rubaira (Strofa). Bota anglishtfolëse u njoh me Rubairat e Kajamit nëpërmjet përkthimit letrar nga Edward Fitzgerald (1809-1883). Ironikisht, ishte përkthimi i Fitzgeraldit që ri-paraqiti Khajamin tek iranianët, të cilët e kishin harruar ose pak e njihnin atë si poet. Poezitë e Omar Khajamit janë përkthyer në shumë gjuhë. Stroftat e mëposhtme janë marrë nga libri: "Rubairat" i Omar Khajamit. Shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi, Edicje e dyte, e ndrequr dhe e plotësuar. Bruxelles, 1927. (Rushit Bilbil Gramshi ka qenë një nga pseudonimet e Fan Nolit).

-1-
Natën kur flinja, më tha shpirti: "Pi!
Në gjumë dhe në Varr s'ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi".
-2-
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
"Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte."
-3-
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë "Portat çeli!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli."
-4-
A di përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

1454 - Pas 13 vjet luftë, përfaqësuesit e konfederatës prusiane u zotuan për besnikëri ndaj Kazimirit IV të Polonisë, dhe mbreti polak bie dakord për t'i ndihmuar ata në luftën e tyre për pavarësi nga kalorësit teutonë (gjermanik).

1799 - Napoleoni merr qytetin Jaffa të Palestinës. Napoleonit i duhej ky qytet para se të përparonte më tej; Jaffa ishte një nga qendrat kryesore tregtare të Sirisë dhe kishte një port që do të bëhej strehim jetik për flotën e tij.

1831 - Poeti amerikan Edgar Allen Poe përjashtohet nga akademia ushtarake West Point: "Paqëndrueshmëria e tij emocionale e shoqëruar me probleme të thella personale, të tilla si: nevoja e vazhdueshme për fonde dhe përkushtimi i kohës për të shkruar poezi duke lënë pas mësimet ushtarake", thuhej në dokumentin e përjashtimit.

1853 - Opera e Giuseppe Verdit, "La Traviata", shfaqet për herë të parë, në Venecia.

1855 - Gustave Flaubert i shkruan letrën e lamtumirës ish të dashurës së tij, shkrimtares Louise Colet. Këto letra, Flauberti do t’i përdorte si burim për romanin e tij "Madame Bovary".

1869 - Dmitri Mendelejev paraqet tabelën e parë të elementeve para Shoqatës Kimike ruse. Në vitin 1893, Mendelejev u emërua Drejtor i Zyrës për Peshat dhe Masat, dhe në këtë rol drejtues ai krijoi standarde të reja shtetërore për prodhimin e vodkës në Rusi.

1882 - Milan Obrenoviç kurorëzohet mbret i Serbisë. Ai mbretëroi deri në vitin 1889, kur jep papritmas dorëheqjen dhe ia dorëzon fronin djalit të tij 12 vjeçar. Historianët nuk japin arsye të mjaftueshme se çfarë e shtyu mbretin 34 vjeçar të jepte dorëheqjen. Pas kësaj, Milan u vendos në Paris dhe u tërhoq nga jeta publike.

1899 - Felix Hoffmann i kompanisë gjermane Bayer merr patentën për të prodhuar Aspirinën.

1918 - Anija amerikane "Ciklopi" zhduket në Trekëndshin Bermuda.

1929 - Turqia dhe Bullgaria nënshkruajnë traktatin e miqësisë

1935 - Frank Bartell (çek) vendos një rekord shpejtësie me biçikletë (130 kilometra në orë) në Los Anxheles.

1964 - Cassius Clay i bashkohet Kombit të Islamit dhe udhëheqësi i kësaj lëvizjeje, Elijah Muhammad i jep atij emrin Muhammad Ali.

1967 - Vajza e Stalinit, Svetlana Allilujeva kërkon strehim politik në Shtetet e Bashkuara.

1970 – Grupi muzikor Beatles lëshon këngën "Let it be" në Britani të Madhe

1974 - Një italian humbet një shumë rekord prej 1 milionë e 920 mijë dollarsh në lojë ruletë në një kazino në Monte Karlo.

1980 - Akademia franceze, e themeluar në vitin 1635, zgjedh për herë të parë një grua si kryetare - shkrimtaren Marguerita Youcenar.

1994 - Rezultatet e një referendumi në Moldavi treguan se elektoratit ishte kundër bashkimit të mundshëm me Rumaninë.

1997 - Vizatimi me laps i Pikasos "Tete de Femme" u vodh nga një galeri arti në Londër, dhe u gjet pak ditë më vonë. Vizatimi, i vlerësuar 275 mijë dollarë, u vodh nga galeria Weinstein nga një njeri me syze të errëta. Personi u filmua nga kamerat e sigurisë duke u larguar me një taksi. Dy ditë më pas, një i dyshuar, i quajtur Mark Lugo, 30 vjeç, u arrestua në një hotel në Napa, Kaliforni; atij iu gjet në zotërim edhe vizatimi "Tete de Femme" (Kokë Femre), që Pablo Pikaso kishte krijuar në vitin 1965.

Mendim i ditës
"Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon."
Edgar Allan Poe
XS
SM
MD
LG