Lidhje

Sanksionet dhe pasuritë ruse në Londër


Gjatë dekadës së kaluar Londra ka qenë një magnet për shtetas të pasur rusë të cilët kanë blerë prona të shtrenjta, shpesh duke shpenzuar dhjetëra miliona dollarë. Por miliarda që janë derdhur në Londër mund të jenë tani në rrezik, sepse Britani po shikon mundësinë për sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

Pjesët më të pasura të kryeqytetit britanik njihen si "Londongrad" nga banorët rusë. Një nga arsyet kryesore që tërheq investuesit është siguria që ofron Londra, thotë Nicholas Redman i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

"Ne kemi një sistem gjyqësor dhe një sistem të së drejtës së pronës këtu në Britani, që nuk krahasohen me ato në Rusi. Prandaj njerëzit që kanë bërë para në Rusi dëshirojnë të kenë një bazë këtu në mënyrë që të ndihen më të sigurt."

Por kjo siguri është vënë në dyshim tani që Britania parashikon sanksione të forta ekonomike në rast lëvizjesh të mëtejshme të Rusisë në Ukrainë. Gati 70 kompani ruse janë të regjistruara në tregun e aksioneve të Londrës, duke përfshirë gjigandët e energjisë Rosnjeft dhe Gazprom.

Kërcënimi i sanksioneve ka shkaktuar shtyrjen e të paktën dy shitjeve në bursë, ndërsa interesi i investuesve për aksionet ruse ka rënë, thotë Sergei Ostrovsky, cili ka lindur në Moskë dhe punon në seksionin rus të firmës ligjore Ashurst.

"Për një farë periudhe njerëzit do të tregojnë kujdes, duke i lënë projektet në pritje. Do të ketë gjithashtu një kujdes të madh në marrjen përsipër të projekteve të reja. Në periudhën afatgjatë, është e vështirë të mendohet një tjetër qytet që ta zëvendësojë Londrën, ku biznesi rus është tani i shqetësuar."

Agjentët e pasurive të patundshme thonë se shtëpitë luksoze pëlqehen shumë nga investuesit, si kjo banesë me 12 dhoma gjumi, kinema dhe pishinë, e cila iu shit në vitin 2012, për rreth 39 milionë dollarë, një blerësi të huaj anonim.
Ed Mead është drejtor ekzekutiv i agjencisë Douglas and Gordon.

"Ligjet për ruajtjen e sekretit këtu të lejojnë të blesh një pronë përmes një llogarie të jashtme ose në emër të një kompanie. Duhet të paguash vetëm një taksë më të lartë. Dhe mendoj se atyre u pëlqen anonimiteti."

Presidenti rus mbështetet mjaft në përkrahjen e oligarkëve të fuqishëm, paratë e të cilëve investohen në prona të tilla, thotë analisti Nicholas Redman.

"Nëse anëtarët kryesorë të elitës ruse do të preken seriozisht, në qoftë se pasuria e tyre do të sekuestrohet, në qoftë se ata nuk janë më të mirëpritur në vende të tilla ku janë mësuar të investojnë, atëherë besnikëria e tyre do të vihet në provë."

Por sanksionet nuk do të kenë efekt të menjëhershëm në ekonominë e Rusisë, thotë Elizabeth Stephens e kompanisë së sigurimeve Jardine Lloyd Thompson.

"E kemi parë me Iranin, e pamë me Irakun nën udhëheqjen e Sadamit, duhen shumë vite për të parë fryte. Ndërkohë vetë ekonomia e BE-së do të dëmtohet."
Analistët thonë se kjo llogaritje pasojash po debatohet në shumë kryeqytete evropiane – por askund më shumë sesa në Londër.

XS
SM
MD
LG