Lidhje

Raund i ri negociatash për programin bërthamor të Iranit


Ekipe nga Irani dhe grupi i fuqive botërore po takohen për herë të tretë ndërkohë që përpiqen të arrijnë një marrëveshje gjithpërfshirëse për programin bërthamor të Iranit.

Duke folur në televizionin iranian para takimit, Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, tha se priste fillimin e hartimit të një marrëveshje përfundimtare këtë javë, por se ende ka shumë për t’u diskutuar.

“Do të rishikojmë të gjitha temat. Disa çështje nuk janë diskutuar asnjëherë, siç është procedura e mbikëqyrjes së aktiviteteve bërthamore. Disa çështje vetëm sa janë cekur po nuk janë detajuar dhe duhen rishqyrtuar.”

Raundi i ri i bisedimeve filloi sot në Vjenë nën drejtimin e ministrit të jashtëm iranian dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Palët synojnë të arrijnë një marrëveshje të përhershme deri nga fundi i korrikut, bazuar në marrëveshjen e përkohëshme të arritur vitin e kaluar.

Irani ra dakord të pakësojë aktivitetin bërthamor dhe si shkëmbim, grupi negociator, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia, lehtësuan përkohësisht sanksionet ndaj tij.

Të dy palët kanë thënë se duan të fillojnë hartimin e një marrëveshje të përhershme muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG