Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 10 maj?


Jewish Badge
Jewish Badge
1267 – Kisha e Vjenës urdhëron të gjithë hebrenjtë të veshin një shenjë dalluese. Historikisht, përdorimi i një shenje për të dalluar persona që nuk i përkisnin besimit fetar të shumicës nuk filloi nga të krishterët. Në vitet 720 Kalifi Omer II porositi që çdo person jo-musliman, duhet të mbajë shenjë dalluese - një ngjyrë të ndryshme për çdo grup pakicë. Më 887, në Sicili, guvernatori saraçen detyroi të krishterët të vënë në dyert e tyre një copë leckë të prerë në formë derri, dhe hebrenjtë një shenjë në formë gomari. Përveç kësaj, hebrenjtë u detyruan të mbanin brez të verdhë dhe kësulë, përfaqësim alegorik i Synagogës së tyre.
Pika e kthesës erdhi me Papa Palin IV më 1555, i cili zbatoi sistemin geto dhe urdhëroi hebrenjtë të mbanin një kapelë kashte, masë që vazhdoi deri në periudhën e Revolucionit Francez, shek. XIX. Në Romë, dhe në Shtetet e Papës në jug të Francës, shenja dalluese mori formën e një kapele të verdhë për burrat, shami koke të verdhë për gratë. Shumë më vonë, gjatë mbretërimit të Maria Terezës (1740-1780) hebrenjve të Pragës iu kërkua të mbanin jaka të verdha mbi mantelet e tyre.
Në komunitete e reja që u themeluan në Evropën Perëndimore (më vonë në Amerikë), hebrenjve nuk u kërkohej shenja dalluese, edhe pse ajo u sugjerua ndonjëherë nga fanatikët.
Në vitin 1938 nazistët detyruan pronarët e dyqaneve hebraike për të shfaqur fjalët "biznes hebre" në dritaret e tyre, por nuk kërkuan shenja dalluese deri pas pushtimit të Polonisë, kur një zyrtar lokal i zellshëm nazist propozoi simbolin dallues në formën e 2 trekëndëshve të verdhë 15 cm madhësi, të ndërthurur për të krijuar yllin 6 cepash të Davidit.
Ky përdorim i përgjithshëm i Mburojës së Davidit si simbol hebraik ishte i panjohur deri atëherë.
Hebrenjtë reaguan me dinjitet, duke e mbajtur shenjën sikur të ishte dekoratë dhe jo shenjë diskriminuese. Jo-hebrenjtë, sidomos në Evropën Lindore, e pranuan këtë masë me entuziazëm duke e pare si mundësi për të mënjanuar rivalitetin e hebrenjve në tregti, ekonomi, dhe jetë shoqërore. Në Perëndim, reagimet ishin të ndryshme. Hollandezët e mbajtën simbolin hebraik në shenjë solidariteti. 300.000 shenja dalluese u prodhuan dhe u shpërndanë në të gjithë Holandën me mbishkrimin: “Hebrenj dhe jo-hebrenj të bashkuar në luftën e tyre" Në Danimarkë, simboli hebre nuk u përdor si rezultat i qëndresës së guximshme të mbretit Kristian X, i cili kishte paralajmëruar se do ta mbante edhe vetë një shenjë të tillë.
Objektivi kryesor në futjen e shenjave dalluese ishte diskriminimi, si dhe për të kontrolluar ose kufizuar lëvizjen e hebrenjve. Nazistët e arritën këtë objektiv, kryesisht; hebrenjtë u përqendruan në rrethe të mbyllura nga frika e arrestimit ose deportimit në kampet e përqendrimit; një hebre që merrte guximin për të mos e mbajtur shenjën dalluese në rrobat e tij rrezikohej me vdekje; por edhe duke e mbajtur shenjën bëhej lehtë pre. Sipas historianëve, shenjat dalluese ishin mjet efektiv në duart e nazistëve për zbatimin e planit të tyre për shfarosjen e hebrenjve.

1291 - Fisnikët skocezë njohin autoritetin e mbretit Edward të Anglisë

1497 - Eksploruesi Italian Amerigo Vespucci niset për lundrim e tij të parë në Botën e Re. Ai mund të mos ishte i pari që shkeli në Hemisferën perëndimore, por emri i tij mbeti kur kontinenti i ri u quajt ‘Amerigo’.

1503 – Kristofor Kolombi zbulon Ishujt Kajman.

1570 - Car Ivan IV bëhet protestant, ndoshta për arsye se bibla tashmë jo latine mund të lexohej në gjuhën ruse. Ivani i Tmerrshëm, ose Ivan IV, ishte cari i parë i gjithë Rusisë. Gjatë mbretërimit të tij (1533-1584), Ivani zgjeroi jashtëzakonisht territoret ruse me mjete të pamëshirshme, duke krijuar një qeveri të kontrolluar rreptësisht nga qendra. Por gjatë kësaj kohe, mbretëria e tij ra në kaos, ndërsa familje fisnike rivale kontestuan legjitimitetin e sundimit të tij. Për shkak të përgjigjes së ashpër ndaj kësaj sfide, Ivani fitoi epitetin “i tmerrshëm” – më shumë se çdo gjë tjetër ai urrente fisnikët.

1796 - Qeveveria franceze arreston 10 utopistë që përpiqeshin për të krijuar një shoqëri më "racionale" sesa ajo që synonte revolucioni. Utopistët mendonin se lufta e klasave, madje edhe revolucionet politike nuk ishin të nevojshëm nëse plani për ndryshime paraqitej bindshëm mes njerëzve.

1837 - Paniku i vitit 1837: Bankat e qytetit Nju Jork falimentojnë, dhe papunësia arrin nivele të larta rekord.

1872 - Victoria Woodhull bëhet gruaja e parë e emëruar për presidente e SHBA-së nga shoqata për të drejtën e grave për të votuar. Victoria Woodhull lindi më 23 shtator 1838 në Ohio. Në 1870, Woodhull krijoi të përjavshmen Claflin, një botim radikal, ku ajo shprehur idetë e saj mbi një sërë temash shoqërore. Revista botoi edhe përkthimin e parë në gjuhën angleze të Manifestit Komunist të Karl Marksit. Viktoria humbi në zgjedhje dhe më vonë emigroi në Britani, ku u mor me aktivizëm - vdiq në Angli në vitin 1927.

1927 – Hoteli Statler në Boston, Masaçusets, instalon kufje dëgjimi në 1300 dhomat e hotelit. Ishte hera e parë që një hotel ofronte transmetime radiofonike për klientët e vet.

1933 – Kancelari gjerman Adolf Hitler ndërmerr djegien massive të librave në mbarë Gjermaninë – librat e parë ishin të autorëve me prejardhje hebraike.

1945 – Trupat sovjetike hyjnë në Pragë, kryeqyteti i fundit evropian nën pushtimin nazist i çliruar në fund të luftës së dytë botërore.

1994 - Nelson Mandela bën betimin si president i parë zezak i Afrikës së Jugut. "Kam ecur në këtë rrugë të gjatë të lirisë. Kam provuar të ndalem; Kam bërë edhe hapa të gabuar. Por kam zbuluar sekretin se pas ngjitjes së një kodre, ka kodra të tjera. Jam ulur një minutë për parë nga kam ardhur. Por mund ta bëj këtë vetëm për një moment sepse me lirinë vijnë përgjegjësitë, dhe nuk guxoj të pushoj gjatë, pasi udhëtimi nuk ka mbaruar…Nuk jam shenjtor, nëse nuk mendoni se shenjtori është mëkatar i cili vetëm përpiqet."

2005 - Një granadë dore hidhet mes turmës së mbledhur për të dëgjuar presidenti amerikan Xhorxh W. Bush, në Tbilis, Gjeorgji; Vladimir Arutyunian (gjeorgjian) u përpoq të vriste presidentin, por përpjekja dështoi, granada (prodhim i vjetër sovjetik) qëlloi difektoze, Vladimiri u kap dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Mendim i ditës
“Mësimi më i madh në jetë është se edhe budallenjë kanë të drejtë ndonjëherë”.
Uinston Çurçill
XS
SM
MD
LG