Lidhje

Në Ukrainën lindore, dy ditë para zgjedhjeve


Në Ukrainën lindore, dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, edhe sot pati luftime mes separatistëve pro - rusë dhe forcave qeveritare. Dëshmitarët dhe zyrtarët e sigurisë në Kiev njoftuan për përleshje në qytetet Semenovka dhe Rubizhne, si dhe në rajonin Donetsk.

Trembëdhjetë trupa qeveritare u vranë dje në Donetsk nga një sulm i separatisteve, duke shkaktuar frikë në prag të votimeve të së dielës.

Siç njofton nga Donetsku korrespondenti i Zërit të Amerikës Patrick Wells, separatistët e armatosur vizituan disa qendra votimi dhe u dhanë urdhër zyrtarëve të zgjedhjeve të ndërpresin përgatitjet.

Në Ukrainën lindore, përgatitjet për zgjedhjet janë shoqëruar me luftime të përgjakshme ditët e fundit. Separatistët pro - rusë sulmuan një pikë kontrolli të qeverisë të enjten pranë qytetit Volnovakha, duke lënë 13 ushtarë ukrainas të vrarë dhe 32 të plagosur. Sulmi vjen në klimën e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, të cilat shihen si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të stabilizuar vendin.

Në qytetin Donetsk, Shkolla 17 ishte e vetmja qendër votimi që mundi të gjejë korrespondenti i Zërit të Amerikës, ku vërtet po bëheshin përgatitje. Tani, mes vëzhguesve, ka dyshime serioze nëse këtu do të mund të bëhen votime.

Dhjetë minuta para se të vinim ne, tregon korrespondenti, separatistët pro - rusë kishin dorëzuar një letër ku udhëzonin të gjitha komisionet zgjedhore brenda territorit të së ashtuquajturës Republikë Popullore e Donetskut që të ndërprisnin aktivitetet.

Yevgeny Viprak, kreu i qendrës së votimit, tha se nuk e njihte një udhëzim të tillë.

"Unë nuk kam marrë asnjë dokument nga komisioni zgjedhor i qarkut, ku të thuhet se ne duhet të ndalim punën. Prandaj kam arsye të mjaftueshme për të vazhduar punën si më parë,"
tha Viprak.

Por mosbindja e tij nuk zgjati shumë. Dy separatistë me revole dhe thika hynë papritur dhe nuk na lejuan të filojmë.

VOA: Pra, ju jeni përfaqësues i Republikës Popullore të Donetskut?

-Po

VOA: A mund t'ju filmojmë?

-Jo.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës vazhdoi të filmojë fshehurazi ndërkohë që ata urdhëruan njerëzit të mbyllin qendrën e votimit.

INNA MASCHENSKAYA (Sekretare e qendrës së votimit): Si mund të më ndaloni të punoj? Unë jam duke punuar.

-Ky nuk është problemi im. Kjo është tani Republika Popullore e Donetskut.

Korrespondenti i VOA e ndali filmimin me shqetësimin se mos i merrnin kamerën. Pas kësaj në qendrën e votimit debati u nxeh më shumë. Separatistët grisën disa materiale zgjedhore dhe i hodhën në dysheme.

"E gjithë kjo është bërë nën trysni. Unë nuk mund të kundërshtoja dhe isha i detyruar të bindesha," tha Viprak.

Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se vështirë që në këtë qytet të gjesh ndonjë qendër votimi që të jetë gati për zgjedhjet. Sipas tyre, një pjesë e personelit zgjedhor kanë thënë se janë tepër të frikësuar aq sa nuk u përgjigjen telefonatave.

Në klimën e tanishme, vështirë të përfytyrohet se zgjedhjet e së dielës mund të zhvillohen normalisht.
XS
SM
MD
LG