Lidhje

Ukraina në qendër të turneut evropian


Presidenti amerikan Barack Obama po i bën thirrje Rusisë të ndihmojë për të ndalur fluksin e armëve për separatistët në lindje të Ukrainës dhe të përdorë ndikimin e saj për të bindur militantët e atjeshëm të mbështesin paqen.

Zoti Obama foli sot në Varshavë, ndalesa e tij e parë në tre vende të Evropës që pritet të dominohet nga kriza në Ukrainë.

Presidenti Obama tha se homologu i tij polak Bronislaw Komorowski është dakort me mendimin se provokimet e mëtejshme nga Rusia do t’i kushtojnë Kremlinit, përfshi mundësinë e sankioneve të tjera.

“Parimet bazë për integritetin territorial, sovranitetin dhe lirinë, mundësinë e njerëzve për të vendosur vetë të ardhmen e vendit të tyre, janë gur themeli për paqen dhe sigurinë që kemi parë në Evropë për disa dekada dhe që tani kërcënohet nga veprimet e Rusisë në Krime dhe nga akvititetet ruse në lindje të Ukrainës.”

Zoti Obama tha se nuk beson se Ukraina duhet të zgjedhë mes marrëdhënieve të mira me Evropën apo me Rusinë.

Presidenti propozoi gjithashtu një nismë 1 miliardë dollarëshe për stërvitjen ushtarake dhe rotacionin e trupave në Evropë, duke përfshirë më shumë dislokime në Detin e Zi dhe atë Balltik. Ai tha se nisma tregon “përkushtimin e palëkundur” të Amerikës ndaj aleatëve të Natos.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë ushtarake në Evropë për shkak të “sfidave të reja të sigurisë në kontinent."

Pasi mbërriti në Varshavë, zoti Obama diskutoi mbështetjen për rritjen e pranisë së Natos në Evropë në përgjigje të aneksimit të Krimesë nga Rusia në mars.

"Po e filloj vizitën këtu, pasi angazhimi ynë për sigurinë e Polonisë, si dhe për sigurinë e aleatëve tanë në Evropën Qendrore dhe Lindore është gur themeli i vetë sigurisë sonë, dhe kjo është e shenjtë."

Zoti Obama dhe zoti Komorowski janë organizatorët e një takimi më të gjerë sot me udhëheqës nga vendet e Evropës Qendrore.

Turneu i udhëheqësit amerikan vjen ndërsa qeveria e Ukrainës po lufton kundër separatistëve pro-rusë. Ai do të takohet me presidentin e zgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko para se të largohet nga Polonia të mërkurën.

Presidenti Obama do të takohet gjithashtu me aleatët e Shteteve të bashkuara të mërkurën dhe të enjten në Bruksel në një takim të organizuar në minutën e fundit pasi udhëheqësit vendosën të bojtokojnë takimin e grupit të tetëshes që Rusia do të organizonte këtë javë në Soçi. Bojkotimi ishte në përgjigje të inkursionit rus në Krime në mars.

Në Francë, zoti Obama do të flasë të premten në Omaha të Normandisë në një ceremony që do të shënojë 70 vjetorin e ditës së fitores kundër forcave naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Presidenti rus Vladimir Putin do të jetë gjithashtu i pranishëm. Nuk është planifikuar asnjë takim mes tyre por kryeministri britanik David Cameron ka në plan të takohet me presidentin Putin në Normandi.
XS
SM
MD
LG