Lidhje

Del në treg libri me kujtime i zonjës Klinton


Më 10 qershor do të dalë në treg libri me kujtime “Zgjedhje të Vështira” i Hillari Klintonit që flet rreth kohës së saj si Sekretare Shtetit gjatë mandatit të parë të presidentit Barack Obama. Është një mundësi për të lënë gjurmën e saj si kryediplomatja e Amerikës para një kandidature të mundshme për presidencën në vitin 2016. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns përgatiti kronikën në vazhdim.

Hillari Klinton thotë se ajo pati një grup studiuesish për ta ndihmuar me librin me kujtime “Hard Choices” – “Zgjedhje të Vështira” – por se historia mbetet e saja.

“Duhej të merrja përgjegjësi për çdo fjalë. Duhej të isha unë ajo që vendoste se si do të doja të përshkruhej një situatë, se si mendova se do t’i përshtatej pikëpamjes time të përgjithshme se ku ndodhet Amerika në shekullin e XXI.”

Si sekretare shteti, ajo mbarti jashtë vendit mesazhin e ndryshimit të diplomacisë së Presidentit Obama nga diplomacia e ish-presidentit George W. Bush.

“Mendoj se ajo pa dyshim ia doli mbanë t’i komunikonte publikut dhe qeverive në botë se administrata Obama, kur bëhet fjalë për problemet e politikës së jashtme, do të ishte e kundërta e politikës së Bushit, se do të bazohej tek konsultimet dhe bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare.”

Kjo e bëri atë Sekretaren e Shtetit që ka udhëtuar më shumë, por i kufizoi fitoret diplomatike individuale, thotë analisti Michael Auslin nga Instituti “American Enterprise.”

“Reputacioni i përgjithshëm i zonjës Klinton është se ajo pati arritje të pakta gjatë kohës së saj si sekretare shteti, pavarësisht udhëtimeve të shpeshta në botë. Një zonë ku ata mund të pretendojnë të paktën një ndryshim nga politika e administratës së presidentit Bush ishte në Azi.”

Zonja Klinton ndihmoi në të ashtuquajturën rifokusim të burimeve diplomatike, tregtare dhe ushtarake në Azi.

Por zoti Auslin thotë se kuy rifokusim është dobësuar për shkak të shtimit të pretendimeve kineze mbi ujërat e kontestuara.

“Po bëhet shumë pak për të ndikuar konkretisht tek ajo që po ndodh në rajon, si p.sh. pretendimet territoriale,apo kërcënimet. Ajo mund të thotë se ata kishin idenë më të mirë, por jo se ata kishin rezultatin më të mirë.”

Zonja Klinton thotë se ndjen keqardhjen më të madhe mbi sulmin e vitit 2012 ndaj misionit amerikan në Bengazi, në Libi, ku u vranë katër amerikanë. Në librin e saj, ajo thotë se disa e shfrytëzuan sulmin si një mjet politik.
Dëshmia e zonjës Klinton në Senat rreth Bengazit ishte më e diskutueshmja gjatë kohës së saj si sekretare shteti.

“Shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Dhe sinqerisht përgjigjet që ju keni dhënë këtë mëngjes nuk janë të pranueshme për mua.”

Siç po bën edhe tani, ajo u përqëndrua në sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për sulmin.

“Fakti është se katër amerikanë u vranë. A ishte për shkak të protestës ose sepse disa persona vendosën një natë të vrasin disa amerikanë? Çfarë ndryshimi ka në këtë pikë? Është detyra jonë të mësojmë se çfarë ndodhi dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përsëritjen e sulmit.”

Kryengritjet popullore nëpër Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme ishin mundësi diplomatike të humbura, thotë zoti Heydemann.

“Asgjë që Hillari Klinton bëri kur ishte në detyrë ndryshoi me të vërtetë perceptimet e Shteteve të Bashkuara në botën arabe, të paktën atje ku popullariteti ynë vazhdon të jetë shumë i ulët.”

Mbi luftën në Siri, zoti Heydemann thotë se ajo u përpoq për një qëndrim më të fortë se sa presidenti.

“Çdo gjë që ne dimë rreth mandatit të sekretares Klinton në detyrë sugjeron se ajo ishte një përkrahëse e angazhimit më të drejtpërdrejtë nga ana e Shteteve të Bashkara në Siri, dhe se ajo për shembull mbështet përpjekjet për t’i dhënë armë elementeve të opozitës që janë kontrolluar më parë.”

Zoti Heydemann thotë se presidenti do të kishte përfituar më shumë nëse do të kishte ndjekur këshillën e zonjës Klinton për Sirinë. Zonja Klinton, thotë analisti, mund ta përdorë këtë ndryshim diplomatik për të veçuar veten nga presidenti në qoftë se ajo kandidon për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016.
XS
SM
MD
LG