Lidhje

Qetësi në Mitrovicë pas dhunës së të dielës


Të hënën gjendja në qytetin e Mitrovicës është e qetë, pas dhunës që shpërtheu të dielën e cila la pas vetes disa të lënduar dhe dëme materiale. Policia tha se 13 oficerë të saj dhe të paktën 10 protestues janë lënduar gjatë përleshjeve të së dielës midis protestuesve që hodhën gurë dhe u vunë zjarrin disa makinave dhe policisë që përdori gazin lotsjellës.
Mitrovica pas përleshjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00


Autoritete thanë se 13 veta janë arrestuar, prej të cilëve 10 po vazhdojnë të mbahen ende në polici.

Dhuna shpërtheu kur grupe protestuesish mësynë urën kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Protestuesit kërkuan hapjen e urës e cila tash e tri vjet po mbahet e mbyllur nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Të mërkurën ajo qëndroi e hapur për disa orë kur grupe qytetarësh serbë larguan në orët e mëngjesit një barrikadë prej dheu e betoni të vendosur tri vjet më parë. Por pak orë më vonë në të njëjtin vend vendosën vazo betoni ku janë mbjellë drunj dekorativ duke bllokuar lëvizjen e makinave.

Barrikada mbi urën kryesore ishte më e madhja e barrikadave që u ngritën në korrik të vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Zëvendësimi i barrikadës së vjetër më bllokadën e re nxiti reagime të banorëve e përfaqësuesve lokal të shqiptarëve por edhe të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës.

Protesta e së dielës ishte drejtuar kundër mbylljes së urës e cila të hënën po patrullohet nga pjesëtarët e policisë së Kosovës, Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe të KFOR-it.

Të tri këto forca në një komunikatë të përbashkët shprehën keqardhjen që protesta u bë e dhunshme. Ato u bëjnë thirrje qytetarëve të të dyja anëve të Ibrit të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë paqen dhe qëndrueshmërinë.

Autoritetet më të larta në vend bënë thirrje për qetësi vetëpërmbajtje, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje për situatën në qytetin e Mitrovicës, skenë e ndarjeve të thella etnike që nga viti 1999, kur lufta në Kosovë përfundoi me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Por, ata kërkuan nga Bashkimi Evropian që të gjejë zgjidhje për largimin e barrikadës në urën kryesore e cila siç thuhet, ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë, por në gjithë Kosovën.

Vendosja e lirisë së lëvizjes në veriun e Kosovës ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura më Serbinë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG