Lidhje

Imituesit e Statujës së Lirisë


Qyteti i Nju Jorkut do të mirëprese më shumë se 50 milionë turistë për vitin 2014, sipas departamentit të turizmit të qytetit. Shumë nga vizitorët bëjnë foto me imituesit e Statujës së Lirisë, të cilët veshin kostumet e famshme jeshile dhe mbajnë pishtarin për një fotografi mbresëlënëse. Daniela Schrier raporton për Zërin e Amerikës rreth këtij fenomeni të Nju Jorkut.

Vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë dynden në Nju Jork gjatë muajve më të ngrohtë të vitit për të vizituar vendet e famshme, duke përfshirë Statujën e Lirisë - një statujë të madhe prej bakri, dhuruar nga francezët në vitin 1886.

Kolosi prej 93 metrash që simbolizon lirinë amerikane është aq tërheqës saqë turistët shpenzojnë 5-10 dollarë për të bërë fotografi me versionin e vogël.

Monica dhe familja e saj erdhën nga Uashingtoni për një ditë dhe nuk kishin kohë të vizitonin statujën e vërtetë.

“E di se nuk është e vërteta, por të jeshs ka pranë, kjo ka rëndësi për ta që po vijnë për herë të parë këtu në Nju Jork.”

Alberto është një imitues i statujës. Ai është një nga të shumtët që Zëri i Amerikës takoi dhe të gjithë ata janë me origjinë nga Amerika Latine. Ai është me origjinë nga Kolumbia dhe bisedoi me ne pa e hequr maskën.

“Unë i bëj njerëzit të lumtur, në qoftë se dikush është trishtuar i bëj të qeshin, fëmijët e pëlqejnë shumë dhe kjo më bën ta dua punën time.”

Alberto është veshur si Statuja e Lirisë për katër vjet. Ai e quan punën e tij një formë arti dhe një mënyrë për të mbijetuar në këtë vend. Edhe pse ai nuk të detyron të pagush, ai kërkon t’i jaapësh diçka. Shpesh i duhen rreth 14 orë për të fituar 100 dollarë.

“Disa njerëz japin më shumë se të tjerët, por ne bëjmë punën tonë, me gjithë zemër dhe i mirëpresim të gjithë turistët në Nju Jork, Statuja e Lirisë do t’ju mirëpresë!”

Ashtu si vetë Statuja e Lirisë mirëpret emigrantët me pishtarin e saj dhe mbishkrimin e njohur: “Më jepni të lodhurit, të varfrit, turmat e kruspulluara, ata që dëshirojnë të marrin frymë të lirë...” Një thënie po aq e vlefshme sot, sa ç’ishte para 120 vjetësh.

XS
SM
MD
LG