Lidhje

Papunësia dhe sigurimet shoqërore


Në Shqipëri, qeveria dhe bizneset po bashkëpunojnë për të pakësuar informalitetin në tregun e punës, për të dokumentuar punën në të zezë dhe për të shtuar punëtorët me sigurime shoqërore.
Krahas hapjes së vendeve të reja të punës, autorittetet po nxitin punëdhënsit që të shtojnë punëtorët dhe të mbulojnë me sigurime punonjësit sezonalë e të përhershëm.
Zv.ministrja e mirëqenies sociale, Genta Sula, thotë se qeveria po zbaton strategjinë kombëtare të punësimit, që synon një punësim dinjitoz, pra, me pagesë më të lartë dhe me prodhimtari të lartë. Heqja e tatimit mbi të ardhurat për rrogat e ulëta i ka shtyrë bizneset që të vetdeklarojnë realisht punëtorët, thotë ajo.
Qarqet e biznesit po ndjekin me interesim zhvillimet në tregun e punës. Përfaqësues të tyre të organizatës “Biznes Albania” pohojnë se punëtorët po e shtojnë presionin për të punuar me sigurime shoqërore dhe jo si deri tani, që një pjesë pranonin të punonin me paga të vogla dhe pa sigurime.
Drejtuesi i kësaj organizate Luan Bregasi vlerëson faktin se numri i gjobave është ulur në minimum, në tërësi klima e biznesit është përmirësuar dhe është më tërheqëse për investime në Shqipëri. Zoti Bregasi thotë se bizneset dhe institucionet shtetërore po dialogojnë më hapur për problemet që hasin.
Krahas zhvillimit të industrisë dhe marrëdhënieve të punës në qytete, një tjetër sfidë është edhe rregullimi i tregut të punës në fshat, ku shumica e banorëve vetëpunësohen dhe vetushqehen. Zv.ministrja Sula thotë se puna në fshat është në nivel mbijetese dhe nuk i paguan fermerët me të holla. Puna në fshat vështirëtohet edhe nga pengesa si fitimi i ulët dhe pasiguria e pronave.
Papunësia në Shqipëri është rreth 20 për qind sipas statistikave zyrtare, por vëzhgues të pavarur pohojnë se papunësia e vërtetë është shumë më e madhe dhe e pandricuar. Po aq e pandricuar është edhe puna në të zezë që bëjnë mijëra njerëz, duke pranuar punë të rëndomta, pa kushte teknike dhe pa sigurime shoqërore.
XS
SM
MD
LG