Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se prishja e besimit mes vendit të saj dhe Shteteve të Bashkuara në çështjen e spiunazhit tregon se dy vendet kanë "koncepte krejtësisht të ndryshme" lidhur me punën e agjencive të zbulimit.
Kancelarja Merkel i tha televizionit publik ZDF se shpreson që SHBA të ndryshojnë sjelljen në fushën e spiunazhit. "Nuk jemi më në epokën e Luftës së Ftohtë," tha zonja Merkel.
Të enjten, Gjermania kërkoi që zyrtari më i lartë amerikan i zbulimit në Berlin të largohet nga vendi pas daljes së informacioneve që me sa duket tregonin se dy zyrtarë qeveritarë gjermanë punonin për Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha të premten se Uashingtoni i vlerëson marrëdhëniet e tij me Gjermaninë. Ai tha se "aleatët me agjenci të sofistikuara zbulimi janë në dijeni të aktiviteteve dhe marrëdhënieve për të cilat bëhet fjalë."