Lidhje

Kosovë: Koalicioni - VV përpjekje për marrëveshje


Kosovo, Mustafa, Haradinaj, Limaj
Kosovo, Mustafa, Haradinaj, Limaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha sot se ende ka mundësi që të arrihet një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje për të përkrahur koalicionin në procesin e përpjekjeve për formimin e qeverisë së re.

Bisedimet për koalicionin e partive opozitare
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:18 0:00

Ai i bëri këto komente pas takimit që koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë dhe Nismës për Kosovën pati me partitë politike të pakicave kombëtare jo serbe të përfshira në parlament, siç u tha, për konsultime për mbledhjen e parë të parlamentit, që pritet të mbahet më 17 korrik.

Afrimi i datës së mbledhjes së parë të parlamentit të Kosovës dhe kushtet e vendosura nga lëvizja Vetëvendosje, kanë vënë në pikëpyetje mundësitë e nënshkrimit të një marrëveshjeje. Dje, koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë dhe Nismës për Kosovën dështuan të arrijnë marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje.

Vetvendosja e ka kushtëzuar mbështetjen për koalicionin me miratimin në formë të shkruar të parimeve të kësaj lëvizjeje për ndryshimin e qasjes së Kosovës ndaj bisedimeve më Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se marrëveshja me lëvizjen Vetëvendosje ishte afër, por në fund, sipas tij, ndryshuan gjërat.

“Unë kam pasur shpresë që dje do të përmbyllim punë, për shkak se dokumenti paraprak ka qenë i qëndrueshëm. Vetëvendosja dje ka sjellë një dokument aneks, i cili na ka kthyer prapë në punë nga fillimi. Jemi në shqyrtim e sipër, unë nuk përfaqësoj vetëm veten, por tri subjekte politike, do të konsultohemi për të parë si do të veprohet më tutje”, tha zoti Haradinaj.

Zoti Haradinaj tha, se ka shpresë që marrëveshjeja do të arrihet dhe ai shtoi se janë duke u bërë përpjekje që të gjendet një mirëkuptim, në mënyrë që Kosova të mos dërgojë mesazhe vetëizolimi.

“Realisht edhe ata (lëvizja Vetëvendosje) janë të vetëdijshëm për këto tema, mirëpo ne duhet të kemi kujdes që vendimet që i marrim të mos lexohen si të tilla. Të gjitha përpjekjet i bëj, jo që të iki nga parimet e Vetëvendosjes, por mundësisht ne të arrijmë në një mes i cili na mundëson zhvillimin e mëtejmë, mundëson integrimin në Bashkimin Evropian, mundëson zhvillim ekonomik dhe investimet dhe të cilat nuk kuptohen në asnjë mënyrë si ndalje, vetizolim ose ngecje e Kosovës, pra këtu është problemi në thelb”, tha zoti Haradinaj.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar prej 47 deputetësh dhe me këtë ata kanë siguruar të drejtën të propozojnë kryetarin e Parlamentit.

Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata duan që të propozojnë kryetarin e parlamentit e pastaj të vazhdojnë përpjekjet për të themeluar qeverinë duke e lënë jashtë Partinë Demokratike.

Por, Partia Demokratike e Kosovës, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke fituar 37 vende në parlamentin prej 120 vendesh e ka kundërshtuar këtë vendim, ndërsa thotë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si e tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

Por, LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën, së bashku me lëvizjen Vetëvendosje, janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ndërsa PDK, edhe po të ketë votat e të gjitha pakicave kombëtare, do të ketë nevojë për të paktën 4 vota shtesë, që duhet t’i kërkojë në radhët e partive rivale.

Mbledhja e parë e parlamentit, do të jetë sprova e parë për procesin më të ndërlikuar deri tash të formimit të institucioneve të reja. Nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

XS
SM
MD
LG