Lidhje

Plastika dhe mjedisi


Është e vështirë të imagjinohet një botë pa plastikë. Materialet plastike i mbajnë ushqimet të freskëta dhe ruajnë ilaçet. Përdoren në shumë produkte të konsumit, nga mjetet elektronike tek stilolapsat. Por edhe pse industria e plastikës është industri prej 374 miliard dollarësh vetëm në Shtetet e Bashkuara, ajo është bërë një problem i madh mjedisor për botën, duke ndotur rrugët dhe kanalet ujore.

E njëjta histori ndodh çdo ditë, kudo: një copë plastmasi vërtitet nga rrugët nëpër trotuarë, pastaj në përrenj dhe lumenj, dhe përfundon nëpër plazhe a oqeane. Grumbullohen shumë dhe kurrë nuk pastrohen. Kjo, për shkak se janë sintetike dhe nuk biodegradohen. Thjesht përfundojnë në copa të vogla, thotë Nancy Wallace, drejtorja e Programit “Marine Debris” – Mbeturinat Detare, për Administratën Kombëtare Oqeanore dhe Atmosferike.

“Në sendet prej plastike gjenden kimikate të cilat mund të përhapen në oqeane. Këto sende gëlltiten pastaj nga peshqit.”

Toksinat e rrezikshme mund të kalojnë në piramidën ushqimore, duke iu kthyer konsumatorëve, thotë zonja Wallace. Njerëzit shkaktojnë problemin por janë ata që mund ta zgjidhin, shton ajo.

“...duke përdorur më pak artikuj me një-përdorim dhe duke ricikluar. Ne mund të sjellim një ndryshim të madh. Është fjala për kujdesin ndaj mjedisit, me të kuptuarit se jemi ne ata që ndikojnë mbi të.”

Plastika është shkaktare e 13 miliardë dollarëve dëm në mjediset detare, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të lëshuar në Asamblenë për Mjedisin në Nairobi, të Kenias. Richard Mattison është shefi ekzekutiv i Trucost, kompania që bëri llogaritjet për shifrat në fjalë. Ai thotë se raporti promovon një alternativë, një model biznesi që hap tregje të reja për produktet e riciklueshme plastike.

"Plastikën mund ta zëvendësojmë me përdorimin e lëndëve të tjera. Mund të zvogëlojmë intensitetin e energjisë së prodhimit të plastikës duke përdorur burime të rinovueshme të energjisë. Mund të ripërdorim shishet në familjet tona shumë herë, në vend që t’i hedhim pas përdorimit të parë.”

Raporti i bën thirrje kompanive që të menaxhojnë më mirë produktet prej plastike, thotë Andrew Russell, Drejtor i Projektit “Plastic Disclosure,” i cili publikoi raportin në Nairobi.

“Ne shohim se kompanitë kanë mundësi të kursejnë fonde. Ne gjithashtu shohim se ato janë shumë më të vetëdijshme, shumë më të njohura me rreziqet.”

Zoti Russell thotë se, duke i vënë plastikës një vlerë të re, industria ka një nxitje për të ndihmuar në pastrimin e mjedisit. Por ai shton se sektorë të tjerë të shoqërisë duhet të bashkohen në nismën e zgjidhjes së problemit.

XS
SM
MD
LG