Lidhje

Rritet numri i viktimave në Gazë


Bombardimi vdekjeprurës i Izraelit në Gazë ka hyrë tashmë në javën e tij të tretë, me më shumë se 600 të vdekur në anën palestineze dhe rreth 30 në atë izraelite. I dërguari i posaçëm palestinez në Kombet e Bashkuara i bëri një thirrje të prekshme dje Këshillit të Sigurimit, duke i kërkuar grupit prej 15 vendesh të dënojë atë që ai e quajti agresionin izraelit. Zyrtarët izraelitë fajësojnë Hamasin për gjakderdhjen në Gazë, grupin që ka nën kontroll Gazën dhe i cili po qëllon raketa në Izrael. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke ka përgatitur raportin nga Uashingtoni.

Një vajzë nëntë vjeçare ishte mes viktimave të sjella në një spital në Gazë pas luftimeve të martën. Doktorët në spitalin Kamal Adwan në Beit Lahia nuk mundën t’i shpëtonin jetën. Babai i vajzës tha se ndërtesa u shemb ndërsa ata po flinin.

“Nuk pashë asnjeri, nuk kemi të bëjmë me raketat. Zona është e sigurt, asnjë raketë nuk është qëlluar nga zona Al Manshia.”

Njerëzit në pjesë të ndryshme të Gazës thonë se forcat izraelite po qëllojnë zonat e banuara, ku nuk gjenden luftëtarë të Hamasit.

Qeveria izraelite dërgon paralajmërime para bombardimit të zonave të caktuara të Gazës, duke i kërkuar banorëve të largohen nga ato zona.

Por shumë njerëz thonë se ata nuk kanë ku të shkojnë. Kishat në Gazë kanë hapur dyert për të ofruar strehim nga bombardimet.

“Forcat izraelite fillojnë të godasin shtëpitë dhe vendet përreth dhe u kërkojnë njerëzve që të largohen, të braktisin shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në zona më të sigurta. E ku mund të shkojnë ata? Në shkolla dhe kisha.”

Shumica e palestinezëve të vrarë gjatë dy javëve të fundit janë civilë dhe rreth një e katërta e tyre fëmijë.

Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara Riyad Mansour tregoi foto ndërsa i kërkoi Këshillit të Sigurimit të dënojnë bombardimet.

“Këto janë fytyrat e viktimave tona, dhe disa nga ata që vuajnë më shumë – dhe numri më i madh i të vrarëve janë fëmijë...ne nuk jemi numra, ne jemi qenie njerëzore.”

Zëvendës ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara David Roet e bëri të qartë se vendi i tij hedh poshtë çdo përgjegjësi për trazirat në Gazë.

“Viktimat civile palestineze janë një rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit të Hamasit të vazhdojë të qëllojë raketa dhe të dërgojë terroristë në Izrael, duke i vënë civilët në vijat e frontit për të mbrojtur të ashtuquajturit udhëheqës dhe terroristët e tyre.”

Numri i të vdekurve izraelitë është nën 30, dhe shumica e tyre janë ushtarë. Një raketë nga Gaza e cila zbarkoi afër aeroportit ndërkombëtar të Izraelit bëri që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të ndalin të gjithë fluturimet në Tel Aviv.

XS
SM
MD
LG