Lidhje

Përfundon armëpushimi i kufizuar izraelit në Gazë


Armëpushimi i kufizuar izraelit prej shtatë orësh në Gaza ka përfunduar dhe kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar se do ta vazhdojë fushatën kundër militantëve të Hamasit megjithë kërkesat ndërkombëtare në rritje për një armëpushim të qëndrueshëm.

Udhëheqësi izraelit tha sot se forcat ushtarake të vendit po i afroheshin fundit të përpjekjeve për shkatërrimin e tuneleve që Hamasi ka ndërtuar për të mbajtur armët dhe për të hyrë në Izrael. Por ai tha se fushata 28 ditore e Izraelit për të çmilitarizuar Gazën dhe për t’i dhënë fund lëshimit të raketave nga Hamasi ndaj shtetit hebraik, do të merrte fund vetëm kur të arrihet “një periudhë e gjatë qetësie dhe sigurie” për qytetarët izraelitë.

Punonjësit e emergjencave në qytetin e Gazës thanë më herët se një sulm ajror izraelit ndaj një kampi refugjatësh ka lënë të vrarë një vajzë tetë vjeçare dhe ka plagosur 30 njerëz të tjerë. Zyrtarët thonë se sulmi ndaj kampit të refugjatëve Shati ndodhi sot, vetëm pak minuta pas armëpushimit të përkohëshëm të deklaruar nga Izraeli. Ushtria izraelite ka thënë se po shqyrton situatën. Izraeli pozicionoi sot tanket pranë kufirit me Gazën, para hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Dje, një sulm ajror izraelit në qytetin Rafah në jug të Gazës, vrau të paktën 10 civilë që ishin strehur në një shkollë të OKB-së. Peter Lerner është zëdhënës i Forcave Izraelite të Mbrojtjes.

“Dua ta bëj të qartë se ne nuk vëmë në shënjestër objektet e OKB-së. Në orët e hershme të mëngjesit, ne kishin si objektiv një grup terroristësh në motorçikleta, të paktën dy persona pranë shkollës. Ne i qëlluam ata, dhe aktualisht po studiojmë shkaqet e sulmit. Mund të konfirmoj se objektivi ynë u neutralizua.”

Ai tha se armëpushimi i sotëm nuk përfshin Rafahun, ku pritet të ndërmerren operacione ushtarake. Kjo është hera e tretë në 10 ditë që një shkollë e OKB-së goditet me mjete shpërthyese.

Dëshmitarët thonë se sulmi i së dielës ndodhi ndërkohë që njerëzit të strehuar në shkollë po prisnin në radhë për tu ushqyer. Si rezultat i situatës kaotike, disa trupa viktimash përfshi edhe fëmijë, u panë të shpërndara në tokë të mbuluar nga pellgjet e gjakut. Chris Gunnes punon për agjencinë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara:

“Nuk ka asnjë lloj prove se ka patur militantë brenda shkollës. Nuk ka asnjë provë se militantët po qëllonin me raketa nga brenda shkollës. Në bazë të ligjit ndërkombëtar, duhet të dallosh luftëtarët nga jo-luftëtarët. A ja vlen të rrezikosh të vrasësh civilë ?”

XS
SM
MD
LG