Lidhje

Astronautët trajnohen në laborator nënujor


Programi i NASA-s Misioni i Operacioneve në kushte ekstreme, i quajtur shkurt NEEMO, është projektuar për të testuar të gjitha llojet e nocioneve që lidhen me vizitën e ardhshme në një asteroid pranë Tokës.

Katër astronautët kaluan nëntë ditë në laboratorin prej 37 metrash katrore, ata kryen eksperimente, testuan pajisjet dhe procedurat, duke rikrijuar me sa më shumë vërtetësi misionin e ardhshëm në hapësirën e thellë.

Astronautja Janette Epps thotë se ajo dhe kolegët e saj shpesh ndeshen me probleme të jetës reale:

"Komandanti Aki dhe unë, duhet të dilnim nën ujë për të imituar një ecje në hapësirë mirëpo na u desh pak kohë, sepse patëm probleme me pajisjet e komunikimit që kishim në helmeta, në mënyrë që të lidhemi me ekuipazhin brenda mjetit të nënujshëm," thotë Janette.

Astronautët jetonin vetëm 19 metra nën sipërfaqe, pra nuk ishte e nevojshme të ënin dekompresimin e skafandrave sa herë që dilnin jashtë mjetit të nënujshëm.

Brenda në laborator astronautët kryen eksperimente shkencore që lidhen me shëndetin dhe sjelljen e njeriut.

"Ne jemi të pajisur të gjithë me aparatura që monitorojnë mënyrën se si ndërveprojmë me njëri-tjetrin, që shkencëtarët të kuptojnë më mirë reagimet e njerëzve në mjedise të tilla dhe t'i përdorin njohuritë e fituara në misionet e ardhshme të eksplorimit," thotë astronauti Thomas Pesquet.

Por katër astronautët nuk janë të vetëm. Në bordin e Aquarius-it janë edhe dy ekspertë të botës së nënujshme, të cilët kanë përvojë me laboratorë të tillë. Ata kujdesen që të gjitha sistemet të funksionojnë si duhet.

Komandanti i Misionit, astronaut japonez Akihiko Hoshide thotë se ata e njohin mirë objektin.

"Ata janë njerëzit prapa skenës. Pa ndihmën e tyre ne nuk mund të bëjmë dot asgjë."

Laboratori nënujor Aquarius është në pronësi të Universitetit Ndërkombëtar të Floridës.

Projekti NEEMO është një nga të ashtuquajturat "misione analoge" të NASA-s dhe ka për qëllim të trajnojë astronautët për kushtet ekstreme që ata mund të hasin gjatë eksplorimeve të ardhshme në hapësirë.

XS
SM
MD
LG