Lidhje

Studentët sipërmarrës


Ata janë nxënës të shkollave të mesme dhe student kolegjesh, por prodhojnë aksesorë për këpucë, çanta shpine dhe fotografi - të gjitha me anë të bizneseve të tyre. Është rezultat i një partneriteti mes një organizate jo-fitimprurëse që mëson sipërmarrjen në shkollat e tyre. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Mike O'Sullivan dhe Deyane Moisiu u takuan me sipërmarrësit e rinj pranë Los Anxhelosit.

19 vjeçarja Nicolle Salazar e filloi kompaninë e saj dy vjet më parë.

“Kam dashur të hyj në industrinë e këpucëve, por nuk dija si bëheshin këpucët. Pyesja veten si mund t’i hyja këtij biznesi me ato që dija?”

Ajo ndonjëherë ngrinte pika të përkohshme për të shitur produktet e saj – aksesorë këpucësh dhe zinxhirë me temina për në këmbë. Janë artikuj popullorë mes vajzave të reja dhe adoleshenteve.

Nicolle ka bërë një faqe elektronike për ta sjellë biznesin e saj online. Ajo merr ndihmë nga një tjetër sipërmarrës student që ka biznes fotografish dhe po e ndihmon atë të përfundojë profilin e saj online.

Të dy janë pjesë e një programi shkollor veror në qytetin Lawndale, pranë Los Anxhelesit. Mësuesja e ekonomisë Brandie Cobb thotë se programi u mëson studentëve të mendojnë rreth karrierës së tyre.

“Dua të mendojnë rreth mundësive që kanë në të ardhmen që nuk janë tradicionale, duke u dhënë mundësinë të zhyten në pasionet e tyre dhe t’i realizojnë ato.”

Pasioni mund të jenë aksesorët e këpucëve apo çantat e shpinës.

Këta studentë kanë kaluar përmes konkurrencës dhe idetë e tyre të biznesit janë shqyrtuar nga një panel ekspertësh. Ky program paraprak po vazhdon këtë verë në Los Anxheles dhe qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara.

Programe të avancuara verore po zhvillohen këtë vit në Nju Jork dhe Los Anxheles.

Shumë studentë të përfshirë aty vijnë nga lagje me të ardhura të ulta dhe kërkojnë drejtim, thotë Nadia Shahin e Rrjetit për Mësimin e Sipërmarrjes.

“Shumica e tyre nuk ishin studentë të 10-ës. Por ata panë nevojën dhe patën dëshirën të bëhen sipërmarrës për të fituar para për vete dhe për të qënë “bos” i vetes. ”

Por duhen hartuar plane biznesi dhe duhen parashikuar të ardhurat dhe shpenzimet. Nicolle Salazar thotë se kjo është pjesa më e vështirë.

“Financat, llogaritja si duhet e shifrave është e vështirë, veçanërisht për vitin e parë.”

Ka gjithmonë sfida të reja kur drejton një biznes, por këta student thonë se ja vlen të ndjekësh pasionin që ke.

XS
SM
MD
LG