Lidhje

Rreziku nga raketat balistike


Kur Shtetet e Bashkuara hodhën bombën atomike në Hiroshimë më 6 gusht 1945, ky akt shënoi fillimin e epokës së armëve bërthamore. Megjithëse zhvillimi dhe dislokimi i këtyre armëve arriti kulmin gjatë Luftës së Ftohtë, arsenale të mëdha ende ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi. Siç njofton korresondeti Kane Farabaugh, disa skandale në ushtrinë amerikane kanë rizgjuar debatin për nevojën e këtyre stoqeve dhe rrezikun që ato paraqesin.

Nën sipërfaqen e objektit Oscar Zero pranë qytetit Cooperstown në Dakotën e Veriut, fati i miliona vetëve varej nga një akt i vetëm i shtypjes së butonit për të lëshuar raketën bërthamore.

Sapo të shtypej ai buton, do të aktivizohej raketa balistike ndërkontinentale Minuteman, apo ICBM, dhe vdekjet dhe shkatërrimi që do të sillte do të ishin të pallogaritshme.

“Ata që punonin në këtë fushë, me përgjegjësinë për të aktivizuar raketat, e merrnin punën shumë seriozisht”.

Gwen Hinman është menaxhere në kompleksin Oscar Zero, që tani është shndërruar në muze të Luftës së Ftohtë. Ky objekt u nxor jashtë përdorimit në 1998, pas nënshrkimit të Traktatit Start 2 për reduktimin e armëve strategjike. Zonja Hinman thotë se objekti u ofron visitorëve mundësinë për t’u njohur me punën e atyre që u ishte besuar një mision shumë delikat.

“Këto pajisje që shihni pas meje janë ende në përdorim sot”.

Ajo shpjegon se pajisjet përdoren në një objekt funksional pak kilometra më larg. Por masat e buta të sigurisë në objekte të tilla, kapja e disa punonjësve duke kopjuar gjatë provimeve profesionale si dhe mungesa e një misioni të qartë që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ka vënë në qendër të vëmendjes këtë komponent thuajse të harruar të ushtrisë amerikane.

“Këto janë sisteme komplekse dhe operohen nga njerëzit. Njerëzit bëjnë gabime”.

Kennette Benedict është drejtore ekzekutive e revistës Bulletin of the Atomic Scientists, e themeluar nga ata që prodhuan bombën e parë atomike në vitet 1940, si mënyrë për të paralajmëruar publikun për pasojat e përdorimit të armëve bërthamore.

Revista menaxhon edhe të ashtu-quajturën Ora e Gjëmës, një pasqyrë grafike e rrezikut që i kanoset botës nga një katastrofë bërthamore. Sa më pranë mesnatës është ora, aq më i madh është rreziku. Tani ora është pesë minuta para mesnatës, jo vetëm si pasojë e kërcënimit të luftës, thotë zonja Benedict, por të rrezikut nga gabimet në operimin e armëve bërthamore.

“Gjatë 60-70 vjetëve të fundit, së paku në arsenalin tonë ka pasur mbi 1200 aksidente”.

Në fillim të këtij viti, Forcat Ajrore Amerikane hoqën 50 raketa bërthamore nga objektet e tyre, duke e çuar në rreth 400 numrin e raketave të gatshme për hedhje. Ky është numri më i ulët që nga Lufta e Ftohtë. Zonja Benedict thotë se të gjitha raketat duhen hequr nga statusi aktiv:

“I kemi kërkuar këtij presidenti dhe presidentëve të mëparshëm të heqin raketat nga statusi aktiv. Nuk ka përse të mbahen këto raketa në status të gatshëm për hedhje brenda 10 minutash nga dhënia e urdhrit. Askush nuk e bën këtë përveç Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”.

Marrëveshja aktuale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kufizon në 700 për secilin vend numrin e raketave strategjike të dislokuara.

XS
SM
MD
LG