Lidhje

Restaurimi i Kështjellës së Irbilit

Mbi qytetin e Irbilit, kryeqytetit të rajonit kurd të Irakut, ndodhet një kështjellë që besohet se është ndërtuar gjashtë mijë vjet më parë. Pas dëmeve thuajse shkatërrimtare, tani kështjella po restaurohet nga Qeveria Rajonale e Kurdistanit me ndihmën e UNESCO-s, e cila e ka përfshirë atë në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore globale.

Kështjella ndodhet mbi një kodër të pjerrët në zemër të Irbilit. Vendndodhja strategjike, pranë Rrugës së Mëndafshit që përshkonte Azinë nga Kina e deri në Stamboll, ka siguruar mbijetesën e saj nëpër shekuj, përfshirë edhe gjatë dyndjes së mongolëve në vitet 1300.

Kështjella e ngritur me tulla balte është riparuar e rindërtuar disa herë. Tani ajo është përfshirë në listën e objekteve kulturore të UNESCO-s dhe po restaurohet plotësisht për t’i kthyer pamjen që kishte gjatë periudhës së lulëzimit.

Dara al-Yaqoobi drejton projektin e restaurimit. Ai thotë se qeveria rajonale e Kurdistanit në Irak e ka bindur UNESCO-n për vlerat e këtij objekti:

“Më së fundi arritëm të bindim UNESCO-n se kështjella e Irbilit ka vlera të paçmueshme, prandaj duhet përfshirë në listë”.

Vendimi i UNESCO-s i dha energji të reja projektit të restaurimit dhe i dha famë globale kështjellës.

Ky objekt ka qenë vazhdimisht i banuar deri në 2007, kur qeveria rajonale zhvendosi banorët për të lejuar punimet e restaurimit.

Këto foto, marrë në 2004 dhe 2005, tregojnë njerëz që jetonin në mjediset e kështjellës. Banesat që kishin sajuar, furnizoheshin me energji elektrike, por ujë të pishëm kishte vetëm tek çesma qendrore.

Al-Yaqoobi thotë se UNESCO këmbëngul se restaurimi duhet bërë me materialet origjinale, si përshembull me tullat tradicionale.

“Kur punojmë tek ndonjë pjesë e ndërtesës, heqim tullën, e pastrojmë, pastaj e shtrojmë përsëri. Nëse mungojnë disa elementë, i prodhojmë në mënyrën si prodhoheshin dikur”.

Projekti përfshin edhe kërkime në themelet e kështjellës, ku janë zbuluar mure dhe struktura të vjetra.

“Gjetëm muret e vjetër të kështjellës. Sipas disa analizave fillestare, kuptojmë se kjo pjesë e kështjellës i përket periudhës së Islamit të hershëm, pra mbi 1000 vjet më parë. Ndërsa në pjesën e poshtme të themeleve mund të ketë struktura nga periudha asiriane”.

Ashtu si me tullat, edhe punimet e drurit dhe çatia po restaurohen në bazë të standardeve të UNESCO-s. Zoti al-Yaqoobi thotë se ekipi i tij ka shpenzuar vite të tëra duke studiuar kështjellën nga fotografi të vjetra, rrëfime dhe kujtime të hershme nga banorët dhe duke analizuar strukturën e ndërtesës.

Kur të përfundojë puna e restaurimit, kështjella do të shndërrohet edhe një herë në një simbol të Kurdistanit dhe një relike të rolit që ka pasur në këtë pikë të globit.

This item is part of
XS
SM
MD
LG