Lidhje

Kryebashkiaku: Nuk ka ndasi racore në Ferguson


Kryetari i Bashkisë së Fergusonit në shtetin Mizuri ku protestuesit dhe policia janë përplasur për 10 ditë që kur një oficer policie i bardhë vrau një adoleshent të paaramatosur afrikano-amerikan, thotë se nuk “ka ndasi racore në Ferguson”.

Kryebashkiaku James Knowles tha sot në televizionin MSNBC se qyteti me 22 mijë banorë ka qenë “model për rajonin”, ndërsa u shndërrua nga një qytet me shumicë të bardhë në një me shumicë afrikano-amerikane.

Komentet e tij vijnë pas natës së tretë të trazuar në rrugët e Fergusonit, ku ka pasur protesta të vazhdueshme që kur oficeri i policisë vrau 18 vjeçarin Michael Brown më 9 gusht.

Protestuesit dhe policia u përplasën përsëri në qytetin e Fergusonit në Mizuri, mes tensioneve që morën shkas nga vrasja e një adoleshenti të paaramatosur afrikano-amerikan nga një oficer policie i bardhë.

Protesta në mbrëmje ishte paqësore në fillim, por gjatë natës u përfshi nga kaosi ku forca policore të armatosura rëndë hodhën granata shurdhuese dhe përdorën gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Kapiteni Ron Johnson i Policisë Rrugore të Mizurit, që u caktua javën e kaluar nga guvernatori Jay Nixon për të kryesuar përpjekjet e sigurisë në Ferguson u tha gazetarëve sot herët se policia u sulmua nga “një grup i vogël protestuesish”.

“Por gjithkush që ka marrë pjesë në këto protesta e kupton se gjatë natës dinamika bëhet e rrezikshme. I jep mundësi një numri të vogël personash të dhunshëm të fshihen në turmë dhe të përpiqen të krijojnë kaos. Shtysa mund të jetë një shishe e hedhur, një bombë me benzinë dhe sigurisht edhe të shtënat. Protestuesit janë paqësorë dhe respektojnë rendin. Protestuesit nuk përleshen me policinë, nuk hedhin shishe me benzinë. Janë kriminelët ata që hedhin shishe me benzinë dhe vënë në rrezik jetë njerëzish dhe objektet”.

78 civilë përfshirë protestues dhe pjesëtarë të medias, u arrestuan në Ferguson natën e së hënës dhe sot në mëngjes, pas një dite protestash paqësore. Njoftimet fillestare flisnin për 31 të arrestuar. Dy persona janë plagosur nga të shtënat nga brenda turmës së protestuesve.

Përleshja e fundit ndodhi pranë rrugës ku 18 vjeçari Michael Brown u qëllua për vdekje nga një oficer policie më 9 gusht.

Një autopsi e pavarur që ishte kërkuar nga familja e të riut, tregobte se ai ishte goditur nga të paktën gjashtë plumba, përfshirë dy plumba në kokë. Avokatët e familjes thanë se autopsia tregonte se i riu i paarmatosur po “përpiqej të dorëzohej” kur oficeri Darren Wilson e qëlloi për vdekje.

Wilson është i pezulluar përsa kohë vazhdon hetimi.

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder shkon në Ferguson nesër për t’u informuar për një hetim të pavarur të të drejtave civile në vdekjen e adoleshentit Brown.

Vrasja e tij ka sjellë si rezultat akuza për diskriminim të vazhdueshëm kundër pakicave dhe ka shkaktuar një debat në shkallë kombëtare për racën në Shtetet e Bashkuara.

Një anketë që u krye gjatë fundjavës nga Qendra Kërkimore Pew, tregon se 80 për qind e afrikano-amerikanëve beson se vdekja e Brownit ngre pyetje të rëndësishme për për racën, por vetëm 37 për qind të të bardhëve e ndajnë këtë mendim.

XS
SM
MD
LG