Lidhje

SHBA, Siria dhe ISIS


Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët evropianë dhe ata në Lindjen e Mesme po shqyrtojnë mundësinë e një operacioni më të gjerë kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik të cilët janë shtrirë nga Siria në Irak dhe rrezikojnë të destabilizojnë më tej një rajon tashmë të trazuar. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns, kjo përballje me militantët mund të ndihmojë presidentin sirian Bashar al-Asad, pozitat e të cilit janë të lëkundura.

Qeveria e Sirisë, e cila ka humbur terren ndaj luftëtarëve të shtetit islamik, thotë se është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të luftuar kundër militantëve.

Ministri i jashtëm Walid al-Moallem thotë se Damasku mirëpret për këtë qëllim edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështesin opozitën e moderuar siriane:

"Në ditët e ardhshme do të gjykohet serioziteti i vendeve rajonale dhe ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Deri tani ne nuk e kemi parë këtë seriozitet," tha ministri sirian.

Një bashkëpunim i këtij lloji do të ishte nxitje e madhe për presidentin Assad, thotë profesori i Universitetit amerikan Akbar Ahmed:

"Kjo do ta nxirrte atë të pafajshëm dhe në një kuptim do t'i jepte legjitimitet regjimit të tij, sepse në këtë rast Assadi do të thoshte:'Ne e bëmë atë që bëmë sepse ishte e nevojshme. Mund të ketë patur edhe gjakderdhje, por ishte e nevojshme. Edhe Perëndimi, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Britania e Madhe, që na kritikuan aq shumë, tani po bëhen me ne'."

Por të njohësh kërcënimin që përbën Shteti Islamik dhe të sulmosh luftëtarët e tyre në Irak, kjo nuk e bën Uashingtonin aleat të Damaskut, tani që administrata po shqyrton një sërë alternativash, pa marrë parasysh kufijtë, thorë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki.

"Kjo nuk do të thotë se ka ndryshuar pikëpamja jonë për brutalitetin e regjimit të Asadit, për brutalitetin e veprimeve që ai ka ndërmarrë kundër popullit të tij. Por duke pasur parasysh kërcënimin në rritje të Shtetit Islamik, ne na duhet të përballemi me këtë kërcënim dhe të punojmë me vendet në rajon për këtë qëllim."

Udhëheqësit rajonalë janë dakord se është i nevojshëm një koalicion më i gjerë për të mposhtur shtetin islamik, edhe në qoftë se kjo mund të jetë me përfitim për qeverinë e Sirisë dhe aleatët e saj, thotë analisti Steve Heydemann i Institutit amerikan të Paqes.

"Rreziku është se ne në një farë mënyre po shpërblejmë Iranin dhe regjimin e Asadit, po shpërblejmë rusët për sjelljen e tyre të keqe, sepse ishte pikërisht regjimi i Assadit, me mbështetjen e Iranit dhe Rusisë, që krijoi kushtet për forcimin e ISIS. Që sauditët dhe Perëndimi tani të përfshihen në zgjidhjen e një problemi për të cilin këto lëvizje ndihmuan të krijohej, tregon se ne po i ndihmojmë ata të zgjidhin pasojat e politikave të tyre," thotë analisti.

Analistja Nora Bensahel e Qendrës për një Siguri të Re Amerikane, thotë se Uashingtoni po e peshon me shumë kujdes çështjen e Shtetit Islamik.

"Shtetet e Bashkuara sigurisht nuk dëshirojnë të shihen sikur po ndërhyjnë në luftën civile, aq më tepër sikur po ndërhyjnë në favor të regjimit të Asadit. Pra, kjo është arsyeja që po shikojmë përdorimin e mjeteve të tilla si kundërzbulimi apo mbikqyrja nga ajri që pritet të fillojë. Qëllimi është që Shtetet e Bashkuara të mund të krijojnë një ide më të qartë për atë që po ndodh në terren para se të marrin vendime," thotë analistja.

Veprimet ushtarake të SHBA kundër luftëtarëve të Shtetit islamik deri tani janë kufizuar në sulme ajrore në Irak, por Uashingtoni mund të përfshihet më drejtpërdrejt në një luftë më të gjerë që Presidenti Obama thotë se "nuk do të jetë e lehtë dhe as e shpejtë."

XS
SM
MD
LG