Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion ushtarak kundër grupit militant të al-Shababit në Somali.
Dëshmitarët thanë se avionët amerikanë pa pilot hodhën të paktën katër raketa dje në rajonin e Shabellit të Ulët në Somali, duke shkatërruar dy automjete të al-Shababit.
Nuk kishte konfirmim të menjëhershëm mbi numrin e viktimave apo objektivin e sulmit.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby konfirmoi vetëm kryerjen e operacionit dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë duke bërë "vlerësimin e rezultateve" të sulmit.
Sulmet amerikane me avionë pa pilot në të kaluarën kanë patur në shënjestër udhëheqësit e grupit al-Shabab, duke përfshirë një sulm në janar, në të cilin pothuaj u godit udhëheqësi i grupit.