Lidhje

Kerry vazhdon përpjekjet për koalicion


Sekretari i Shtetit John Kerry tha se vendet në Lindjen e Mesme dhe jashtë rajonit po përgatiten të angazhohen në ndihmë ushtarake dhe sulme nëse do t’u kërkohet si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Gjatë një emisioni televiziv amerikan, zoti Kerry tha se një numër vendesh po përgatiten të bashkohen në luftën kundër këtij grupi.

Ai tha se përpjekjet kundër grupit do të përfshijnë gjithashtu ndihma ekonomike dhe humanitare.

Australia premtoi ndihmë ushtarake për të ndihmuar në mposhtjen e militantëve të Shtetit Islamik në përgjigje të një kërkese nga Shtetet e Bashkuara. Dje, grupi ekstremist publikoi një video që shfaq ekzekutimin me prerje koke të një shtetasi britanik, punonjës i një organizate humanitare ndërkombëtare.

Kryeministri australian e bëri vendimin publik gjatë një konference për shtyp:

"Qeveria ka vendosur të përgatisë dhe dislokojë në Emiratet e Bashkuara Arabe një forcë ushtarake. Një forcë ushtarake që, në varësi të vendimeve të mëtejshme, mund të kontribuojë në operacionet ushtarake brenda Irakut."

Ndërkohë që koalicioni për të shkatërruar militantët e Shtetit Islamik zgjerohet, Kryeministri britanik David Cameron zhvilloi sot një takim urgjent pas vrasjes nga ana e grupit terrorist të një punonjësi britanik të ndihmës humanitare. Ai dënoi ashpër aktin, duke thënë se kjo organizatë është mishërim i së keqes.

Grupi militant ISIS publikoi dje një video ku shfaqej ekzekutimi me prerje koke i britanikut David Haines. Ai u rrëmbye vitin e kaluar pas mbërritjes në Siri për të punuar për një organizatë humanitare ndërkombëtare.
Kryeministri australian Tony Abbot:

"Prerja e kokës së një punonësi britanik të ndihmës humanitare është demonstrim i mëtejshëm se ky grup terrorist jo vetëm që bën gjëra të këqija, por lumturohen me këto akte. Ne gjithashtu dimë se ndikimi i këtij grupi terrorist ka mbërritur në Australi, sepse janë të paktën 60 australianë që ne e dimë që po punojnë me grupe terroriste në Lindjen e Mesme, dhe të paktën 100 vetë këtu dhe jashtë vendit janë duke mbështetur grupe terroriste në Lindjen e Mesme."

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ndodhet në Paris në ndalesën e fundit të turneut të tij që synon të krijojë një koalicion ndërkombëtar kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Ai fluturoi në kryeqytetin francez nga Egjipti mbrëmë vonë, përpara një konference ndërkombëtare që do të zhvillohet të hënën me qëllim përshpejtimin e përpjekjeve për të luftuar militantët e ISIS-it. SHBA thotë se gati 40 shtete deri tani kanë rënë dakord të bashkohen në këtë luftë, në forma të ndryshme, duke përfshirë edhe disa vende arabe.

XS
SM
MD
LG