Lidhje

Në prag të referendumit skocez


Ndërkohë që debati në Mbretërinë e Bashkuar për të ardhmen e Skocisë ka mbërritur në fazën përfundimtare pak para referendumit të nesërm, sondazhet tregojnë një rezultat shumë të afërt. Udhëheqësit politikë në Londër kanë bërë një ofertë të minutës së fundit për më shumë autonomi nëse votuesit skocezë do të vendosin kundër pavarësisë. Gazetari Henry Ridgwell njofton nga Skocia se një grup i ri votuesish mund të përcaktojë rezultatin final.

Një pikë kufitare e rreme është vendosur në një autostradë që lidh Anglinë me Skocinë dhe shkaktoi konfuzion tek turistët. Ideatori i shakasë thotë:

“Disa nga ne janë skocezë dhe disa janë anglezë. I duhej debatit një shaka, dhe menduam të përdornim një moment humori”, thotë Jon Parker Lee.

Në realitet kjo ka të bëjë me disa pyetje thelbësore që po lindin. Londra ka paralajmëruar se mund të ngrihen pika të vërteta kufitare.

Qeveria britanike thotë se një Skoci e pavarur ndoshta nuk do të mundet të përdorë monedhën paund. Fushata “YES” nënvizon se paundi është sa skocez aq edhe anglez. Disa analistë paralajmërojnë se një votë pro pavarësisë mund të ulë vlerën e paundit në tregjet ndërkombëtare.

Arsenali bërthamor i Britanisë është i vendosur në Skoci. Ligjvënësit që janë në favor të pavarësisë thonë se do ta zhvendosin në jug të kufirit.

Në një fjalim të hënën, kryeministri britanik u bëri thirrje votuesve duke rikujtuar lidhjet historike dhe emocionale.

“Nëse populli i Skocisë do të largohej tani, do ngjasonte sikur pasi ndërtuan me shumë mundime një shtëpi, të largoheshin duke hedhur dhe çelësat”, tha kryeministri David Cameron.

Analistët thonë se toni pasionant reflekton rezultatin shumë të afërt në sondazhe dhe ndërgjegjësimin se sa ndikim të thellë do të kishte në gjithë Britaninë pavarësia e Skocisë.

Ministri i Parë skocez, Alex Salmond, që udhëheq fushatën “YES”, thotë se David Cameron është i tronditur nga sondazhet.

“E ka shprehur para meje se nuk dëshiron të humbasë Skocinë siç humbi Amerikën mbreti George III. Sidoqoftë, Skocia është një komb, nuk është një pronë që mund të humbasë dhe të rigjendet.”

Në analizën e këtij debati gjendet për herë të parë edhe një brez i ri votuesish. Për herë të parë në Britani, do të votojnë 16-të dhe 17-të vjeçarë.

Në një kafe në bregdetin Aberdeen, dy 16-vjeçarët Erin dhe Martin, debatojnë për pikëpamjet e tyre.

“Nuk kanë statistika për të mbështetur gjërat që thonë. Thjesht thonë votoni ‘po’ dhe pastaj i zgjidhim gjërat.”

“Jam në favor të pavarësisë sepse mendoj se njerëzit më të mirë për të qeverisur Skocinë janë ata që jetojnë dhe punojnë këtu. Pavarësia do të sjellë më shumë fuqi dhe do të jemi në gjendje të zgjedhim një qeveri që do të marrë vendime politikash bazuar tek vota jonë.”

Pjesët e tjera të Mbretërisë së Bashkuar, Anglia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, nuk do të votojnë për të përcaktuar fatin e Skocisë. Sondazhet tregojnë se shumica duan që Skocia të qëndrojë. Një marshim në mbështetje të bashkimit u mbajt në ditën e hënë në Londër.

Sidoqoftë, rezultati do të dihet në orët e mëngjesit të së premtes.

XS
SM
MD
LG