Lidhje

Protestat në Hong Kong


Me brohoritjet “Forca Hong Kong!” turmat e protestuesve pro-demokracisë mbushën qendrën e Hong Kongut sot. Ata hidhnin parulla duke ngacmuar kreun e qeverisë lokale në 65 vjetorin e krijimit të Kinës komuniste. Në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Sheshin Bauhina, disa protestues thërrisnin për dorëheqjen e administratorit lokal. Të tjerë fishkëllenin gjatë luajtjes së himnit kombëtar kinez, ndërsa disa i kthyen shpinën flamurit. Dhjetëra mijëra demostrues pro-demokracisë janë hedhur në protesta, të zemëruar nga kufizimet e qeverisë pro-Pekinit për zgjedhjet e vitit 2017.

Në prag të festës, turmat ishin më të vogla sesa ato që janë parë gjatë ditëve të fundit. Numri i protestueve po shtohet me kalimin e orëve. Shumë vullnetarë po grumbullojnë ushqime dhe ujë për mbështetësit si dhe po pastrojnë zonën dhe mbajnë rendin.

Protestuesit kanë nën kontroll pjesën dërmuese të qendrës së Hong Kongut me kërkesën për të drejtë vote për kadidatët e zgjedhur nga vetë ata dhe jo ata të miratuar nga Pekini.

Studenti Ping Wond thotë se ata janë të përgatitur të mbajnë qendrën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Përse po e bëjmë këtë? Po e bëjmë për Hong Kongun. Duam liri.”

Çadrat e përdorura më parë për t’u mbrojtur nga spërkatjet e policisë me piper, tani ofrojnë mbrojtje nga dielli dhe shiu, duke u kthyer kështu në simbol të lëvizjes popullore.

Revolucioni i çadrave, duket se ka tërhequr mbështetës të rinj jashtë rrethit studentor dhe grupeve pro demokracisë. Benson Zheng ka ardhur nga Macau.

“Po shoh studentë nga universitet e Makaut dhe gjimnazet që marrin pjesë tani në mbështetje të lëvizjes në Hong Kong.”

Yan Chung, që punon në një kompani tregtare në Hong Kong, thotë se tani demokracia është më e rendësishme se biznesi.

“Nëse nuk bashkohemi dhe qendrojmë tani, nuk kemi tjetër shans. Ky është i vetmi shans. Ndaj është më e rendësishme se biznesi.”

Sot, shumë biznese, disa stacione të metrosë dhe disa linja autobusësh u mbyllën si rezultat i protestave. Bursa e Hong Kongut është e mbyllur sot dhe nesër me rastin e festës. Qeveritë e huaja dhe grupe të të drejtave të njeriut vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën nën drojën për shpërthime të reja dhune.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Sekretari John Kerry do të diskutojë sot në Uashington krizën politike në Hong Kong me Ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi.

XS
SM
MD
LG