Lidhje

Ebola në fokus të revistës Time


Revista Time ka zgjedhur si "Njeriun të Vitit" 2014 të gjithë ata që janë përfshirë në luftën kundër Ebolës. Fotot e pesë personave që përfaqësojnë mjekët, infermjerët, punonjësit e ndihmave dhe të tjerë që përballuan virusin për të ndihmuar viktimat në Afrikën Perendimore do të jenë në faqen e parë të revistës. Ata u shtohen udhëheqësve të lartë politikë dhe fetarë si presidenti amerikan Barack Obama, Papa Françesku, ish presidenti rus Michail Gorbachev, dhe madje Hitleri, si dhe kreu i medias sociale Mark Zuckerberg apo grupe të tilla si grate amerikane.

Emrat e pesë personave që simbolizojnë një grup më të gjerë nuk bien në sy menjëherë. Por siç shpjegon redaktorja e revistës Time ata janë gra dhe burra të thjeshtë që kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme për të ulur përhapjen e virusit të Ebolës në Afrikën Perendimore dhe në pjesën tjetër të botës.

"Donim të tërhiqnim vëmendjen tek njerëzit të cilët, qysh në fillimi kur u injoruan nga shumë burokratë dhe zyrtarë qeveritarë, vendosën se Ebola ishte një rrezik potencial. Është një rrezik potencial jo vetëm për komunitetet tona por për mbarë botën, dhe do të bëjmë gjithçka për ta luftuar".

Virusi që u përhap me shpejtësi në Afrikën Perëndimore në fillim të vitit ka vrarë më shumë se 6,300 njerëz, shumica në Liberi, Guine dhe Sierra Leone. Gati 18,000 njerëz të infektuar janë identifikuar, megjithëse numri i saktë mund të jetë më i lartë.

Këtë herë "Njeriu i Vitit" do të jetë në pesë faqet kryesore, secila me një figurë të shquar në betejën kundër Ebolës.

Dr. Jerry Brown, kirurg në Liberi u zgjodh për në faqen kryesore.

"Shumë shpejt, kur filloi të dëgjonte njoftime rreth sëmundjes, ai nisi të shqetësohej se Ebola mund ta fshinte nga harta vendin e tij.'"

Dr. Kent Brantly, mjek amerikan që punon për grupin humanitar Samaritan’s Purse, është një nga figurat e tjera. Ai u infektua vetë ndësa ndihmonte pacientët me Ebola në Monrovia, dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara, ku u trajtua me sukses.

Punonjësit e ndihmave që ende luftojnë në zonat e goditura më rëndë thonë se e vlerësojnë nderin që po u bën revista.

"U jam mirënjohës që e vunë vëmendjen përsëri tek Ebola pasi ata që e luftojnë atë janë tani në betejë. Ebola nuk ka marrë fund. Njerëzit po vdesim ndërsa flasim. Pra jam mirënjohës që revista Time e përqëndron vëmendjen tek Ebola dhe këta luftëtarë kundër Ebolës janë heronj."

Tre të tjerët në faqet e para të revistës janë, amerikania Ella Watson-Stryker, e organizatës Mjekët pa Kufi, liberiani Foday Gallah dhe ndihmës infermieri Salome Karwah.

Redaktorja e revistës Time Nancy Gibbs e paraqiti zgjedhjen e këtij viti me proverbin "Luftën nuk e bëjnë armët e ndritura, por zemrat e heronjve."

XS
SM
MD
LG