Në Beograd është hapur sot takimi i nivelit të lartë mes Kinës dhe kryetarëve të 16 shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore. Ky është takimi i tretë i këtij lloji, ku Kina ka premtuar afër 10 miliardë dollarë investime në këtë pjesë të kontinentit europian.
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar takime të shumta bilaterale mes kryetarëve të shteteve pjesmarrëse. Ndërsa pasdite u hap forumi ekonomik me praninë e kryeministrit kinez Li Keqiang si dhe të homologëve të tij të vendeve europiane të përfshira në nismën e Pekinit. Kina pritet të financojë në mënyrë të vecantë projekte të infrastrukturës. Gjatë ditëve të takimit parashikohet dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për ndërtimin e një hekurudhë që do të lidhë Beogradin me Budapestin përmes trenave të shpejtë.
Edhe Shqipëria pritet të përfitojë nga fondet kineze. Kryeministri Edi Rama njoftoi se mbrëmë ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Chinese Exim Bank, bankën e cila nxit tregtinë dhe investimet jashtë Kinës. Sipas kryeministrit “Memorandumi hap një kantier projektesh me financime kineze në Shqipëri”, ku I pari sipas tij do të jetë ai për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, që do të lidhë Tiranën me pjesën veriore të Maqedonisë. Punimet njoftoi zoti Rama pritet të nisin vitin e ardhshëm.
Kryeministri shqiptar pritet të takohet nesër me kryeministrin kinez si dhe me homologun e tij serb Aleksandër Vucic, pak më shumë se një muaj nga takimi i tyre zyrtar po në kryeqytetin serb nëntorin e shkuar.