Lidhje

SHBA fajson Phenianin për sulmin kibernetik ndaj Sony-it


Sipas njofimit të mediave, Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se Koreja e Veriut qëndron prapa hakerimit të kompanisë

Sony Pictures, që u dorëzua para shqetësimeve për sigurinë dhe e anuloi shfaqjen e një filmi lidhur me një komplot për vrasjen e udhëheqësit të Phenianit, Kim Jong Un.

Duke folur në kushtet e anonimitetit, zyrtarët amerikanë thanë se hetuesit e kanë lidhur sulmin kibernetik me Korenë e Veriut.

Departamenti i Shtetit i mohoi njoftimet e shtypit se e ka mbështetur filmin. Zëdhënësja Jen Psaki tha “ne nuk jemi në biznesin e miratimit për shfaqjen e filmave me përmbajtje të caktuar, apo ndërhyrje të ngjashme.”

Brenda Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ashtu si i jati dhe gjyshi i tij, portretizohen si të pagabueshëm.

Media e kontrolluar shtetërore njoftoi me ngazëllim se ai fitoi zgjedhjet për në Asamblenë e Lartë Popullore vitin e kaluar me 100 përqind të votave. Sigurisht, emri i tij ishte i vetmi në fletët e votimit.

Kështu që nuk është çudi që Koreja e Veriut ishte e zemëruar për filmin The Interview, një komedi që vë në lojë udhëheqësin para se të vazhdojë me një përpjekje për vrasjen e tij. Ministria e jashtme e Koresë së Veriut e quajti filmin një akt lufte dhe premtoi hakmarrje.

Kim Yong-hyun, një profesor për studimet koreanoveriore në Universitetin Dongguk thotë se Pheniani e mbron shumë imazhin e udhëheqësit.

“Koreano-veriorët nuk e presin mirë satirën dhe në të kalurën janë ankuar se dinjiteti i udhëheqësit të tyre është dëmtuar”

Koreanoveriorët protestuan për filmin “Team America: World Police” që vë në lojë udhëheqësin Kim Jong Il kur ai u shfaq një dekade më parë, por pa ndërmarrë ndonjë veprim provokativ si përgjigje.

Kjo mund të ketë ndryshuar me sulmin kibernetik mbi Sony-n. Pheniani mohon ndonjë përfshirje, por hakera të panjohur që nxorrën informacione konfidenciale të kompanisë kanë kërcënuar t’i publikojnë ato në se studioja nuk e anulonte shfaqjen e filmit “The Interview.”

Analisti Korean Victor Cha me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se zhdukja për një javë këtë vit e Kim Jong Unit dhe ekzekutimi i xhaxhait të tij tregojnë se udhëheqësi i ri mund të jetë duke u munduar të konsolidojë pushtetin e tij.

“Tranzicioni i udhëheqjes është tani në vitin e tretë. Ne ende nuk e dimë nëse ka përfunduar. Vazhdon të ketë spastrime brenda vendit që të lë të kuptosh se ka disa kundërshtime brenda sistemit.”

Zoti Cha thotë se tallja me imazhin e përpunuar me kujdes të Kim Jong Unit mund të minojë regjimin në një mënyrë që sanksionet apo veprimet armiqësore nuk mund ta bëjnë.

“Ata gjithmonë mund t’i mobilizojnë banorët kundër Perëndimit, por është vështirë të mobilizosh njerëz kundër talljeve të Perëndimit, pasi ato ngrenë pikëpyetje rreth udhëheqjes.”

Polemikat rreth filmit komik i kanë shtuar tensionet në rajon ndërsa bisedimet ndërkombëtare për të ngadalësuar programin bërthamor të Koresë vazhdojnë të mbeten të bllokuara . . .dhe Kombet e bashkuara vazhdojnë presionin mbi regjimin për shkelje të të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG