Lidhje

Presidenti Obama flet për pritshmëritë


Në komentet për radion NPR, Radio Publike Kombëtare, zoti Obama thotë se urdhrat e tij ekzekutivë javët e fundit për imigracionin dhe Kubën, ishin rezultat i një pune disa vjecare. Ai thotë se e kishte parashikuar 2014-ën si një vit me arritje të rëndësishme dhe pas gjashtë vjetësh në detyrë dhe me një ekonomi që po përmirësohet, ai pati mundësinë që të merrej me disa çështje delikate.

"Në fund të vitit 2014, unë mund të hedh një vështrim pas dhe të shoh se sot jemi në një situatë ekonomike që prëj kohësh nuk ka qenë kaq e mirë, udhëheqja amerikane është më e nëvojshme se kurrë më parë dhe kam një ndjesi lehtësimi sepse shumë punë që këmi bërë prej vitesh, po fillojnë të japin fryte. Kjo më jep mundësinë që të përqendrohem tek disa nga sfidat e tjera të vështira, me të cilat nuk kam pasur kohë ose mundësi të merrem gjatë presidencës sime”.

Zoti Obama thotë se tani do që të përqendrohet tek “projekte afatgjata” si për shembull që të sigurohet që të gjithe amerikanët të gëzojnë të mirat e forcimit të ekonomisë dhe në aspektin ndërkombëtar…:

"…edhe në kushtet kur po përballemi me ISIL-in dhe po përpiqemi t’i zmbrapsim dhe përfundimisht t’i mposhtim, edhe ndërsa po realizonim tërheqjen nga Afganistani në mënyrë të përgjegjshme, unë desha të sigurohem që të angazhohem në lëvizje të tilla si nisma diplomatike me Kubën, pjesërisht sepse në të vërtetë është më e lehtë për një president në fund të mandatit të bëjë një gjë të tillë, sesa për një president që sapo e merr detyrën”.

I pyetur nëse parashikon hapjen e një ambasade në Teheran, ndërsa rivendos lidhjet diplomatike me Kubën, zoti Obama thotë se këto dy vende janë të ndryshme. Ai thotë se pas 50 vjetësh me të njëjtën politikë, ishte koha për një ndryshim me një vend të vogël që nuk paraqet një kërcënim të konsiderueshëm. Ai e e quan Iranin një vend të madh, të sofistikuar me një histori të mbështetjes së terrorizmit dhe armiqësor ndaj Izraelit dhe që po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

Ai thotë se përmirësimi i marrëdhënieve me Teheranin, varet nga një marrëveshje e verifikueshme bërthamore. Presidenti Obama shton se me kalimin e kohës, sanksionet mund të hiqen, Irani mund të riintegrohet në komunitetin ndërkombëtar dhe kjo do të shërbente si bazë për përmirësimin e marrëdhënieve.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin që nga viti 1980, pasi aktivistë iranianë morën nën kontroll ambasadën amerikane dhe mbajën peng personelin e saj. SHBA dhe pesë vende të tjera, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania, jane angazhuar në negociata për një program bërthamor paqësor, civil Iranian. Irani e ka mohuar prej kohësh që programi i vet të ketë qëllime ushtarake.

Pavarësisht nga një marrëveshje e përkohëshme në nëntor 2013, dy palët nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e kanë shtyrë afatin e bisedimeve deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Përsa i takon përparimit të demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë dhe shtetit ligjor, zoti Obama përmend Birmaninë dhe Tunizinë si shembuj, ku transformimi duket se ka filluar. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar këto vende.


Por përsa u takon Libisë, Sirisë dhe Irakut, zoti Obama u referohet atyre si “projekte prej disa brezash”, ku Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë, por nuk mund ta bëjnë punën për ta.

Ndërsa duke folur për Rusinë dhe ndërhyrjen e saj në UKrainë, Presidenti thotë se presioni i vazhdueshëm i sanksioneve po e dobëson ekonominë ruse dhe po e bën atë të vështirë për t’u menaxhuar.


Zoti Obama thotë gjithashtu se pas konflikteve me kosto të lartë në Afganistan dhe Irak, ai do që t’i përqendrojë burimet amerikane brenda vendit duke ndërtuar shkolla, rrugë dhe për të çuar përpara kërkimet shkencore.

XS
SM
MD
LG