Lidhje

Shqipëri-Itali, bashkë kundër terrorizmit


Në Tiranë, ministrat e Brendshëm të të dy vendeve bien dakort për ngritjen e grupeve të përbashkëta policore

Shqipëria dhe Italia ranë dakort sot që të ngrenë grupe të përbashkëta policore të cilat do të angazhohen në luftën kundër terrorizmit dhe të ashtuquajturve luftëtarë të huaj, që shkojnë për t’u përfshirë në luftimet në Siri

Në përfundim të takimit në Tiranë, me ministrin e Brendshëm të Italisë Angelino Alfano, ministri shqiptar Saimir Tahiri, tha se “grupet e përbashkëta do të mundësojë një shkëmbim më të madh të informacionit si dhe një veprim më të shpejtë të autoriteteve policore të të dy vendeve”.

Nga ana e tij ministri italian Alfano u shpreh se ai do të kërkojë që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit të përfshihen edhe në skuadrat europiane të hetimit. “Ballkani është një partner strategjik në luftën kundër terrorizimit. Kjo është një zonë e cila mund të përdoret si korridor kalimi për ata që shkojnë në Siri, por edhe si një zonë e cila mund të përdoret nga terroristët për t’u stërvitur”, tha ministri italian, i cili u shpreh se për këtë arsye do të kërkojë nga presidenca letoneze e Bashkimit europian, që ministrat e Brendshëm të Ballkanit të ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare kur trajtohen cështjet që kanë lidhje me luftën ndaj terrorizmit.

Takimi i sotëm mes dy ministrave, vjen pas ngjarjeve të javës së shkuar në Paris ku u sulmua redaksia e të përjavshmes Charlie Hebdo.

Pak ditë më pas policia shqiptare nisi një regjim të përforcuar kontrollesh në të gjithë vendin. Ministri Tahiri tha sot se lufta ndaj terrorizmit dhe ndaj personave që përfshihen në luftimet në vendet e huaja është një prioritet, duke përmendur një sërë masash “nga njëra anë për të ndryshuar kuadrin ligjor dhe për ta kthyer këtë në një vepër terroriste nga ana tjetër për të zhvilluar hetime të thelluara që synojnë parandalimin, por dhe luftën efektive kundër çdo forme të shfaqjes së terrorizmit dhe radikalizmit. Shqipëria – shtoi ministri Tahiri - ka tashmë një qendër kundër terrorizmit që është padyshim më e madhja në Ballkan, janë gati 100 oficerë në Policinë e Shtetit”.

Të dy ministrat ranë dakort “për të nxitur të gjitha format e bashkëpunimit veçanërisht në kuadër të financimit të terrorizmit apo terrorizmit që zhvillohet në rrjetet elektronike deri edhe te rrjetet e organizimit të atyre çojnë luftëtarë jashtë vendit”, u shpreh ministri Tahiri.

XS
SM
MD
LG