Lidhje

Syriza dhe marrëdhëniet Greqi-BE


Një prej kritikëve të njohur të paketës financiare të ndihmave për Greqinë tha se do të jetë ministri i Financave në qeverinë e ardhshme, një vendim që mund të shkaktojë paqëndrueshmëri të tjera në tregjet evropiane. Qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras erdhi në pushtet me një platformë elektorale kundër masave shtrënguese ekonomike.

Profesori i ekonomisë Yanis Varoufakis e bëri njoftimin përmes internetit, disa orë para se zoti Tsipras të shpallte zyrtarisht kabinetin e tij.

Greqia është detyruar të zbatojë masa shtrënguese ekonomike në shkëmbim të një huaje prej 300 miliardë dollarësh që synon ta shpëtojë atë nga falimentimi financiar. Paketa shtrënguese është shoqëruar me ulje të theksuara të pensioneve dhe pagave, me rritje taksash dhe papunësi në masë.

Kreditorët kryesorë të Greqisë, Bashkimi Evropian, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane nuk kanë dhënë shenja se janë të gatshme për rinegocimin e kushteve të kredisë.

Shqetësimi i investitorëve rreth një përplajsje të mundshme të qeverisë së Athinës me kredi-dhënësit ndikoi në uljen e tregjeve të aksioneve në Evropë, ndërsa vetë bursa e Greqisë ra me 2 për qind.

Po sot firma Moody e vlerësimit të kreditimit, paralajmëroi se fitorja e partisë Syriza, ka ndikuar negativisht për vlerësimin e kreditit të Greqisë.

Alexis Tsipras është simbol i një zhvendosjeje radikale në zhvillimet politike evropiane. Partia e tij Syriza fitoi pas një fushate me premtime për të rinegociuar termat e kredisë së BE-së dhe FMN-së me vlerë 268 miliardë dollarë. Premtimet e tij nuk janë të paarritshme, thotë Dionyssis Dimitra-kopoulos i Kolegjit Birkbeck në Universitetin e Londrës:

“Institucionet e Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare e kuptojnë se programi i vënë në zbatim në Greqi nuk po jep rezultatet e dëshiruara në masën që parashikohej. Prandaj duhet të ndryshojë diçka. Në pikëpamjen time, kjo situatë hap rrugën për negociata”.

Syriza nuk arriti shumicën në zgjedhje dhe u detyrua të bënte koalicion me partinë Grekët e Pavarur të ekstremit të djathtë. Analisti Dimitra-kopoulos thotë se ishte një lidhje e paparashikuar:

“Pikëpamjet e përbashkëta kundër shkurtimeve buxhetore mund t’u japin një bazë të fortë, por nuk jam i bindur se do të mjaftojnë. Greqia ballafaqohet me shumë probleme të tjera që kërkojnë konsensus”.

Presidenti i Komisionit Evropian dha një përgjigje diplomatike kur e pyetën rreth kërkesës greke për të rinegociuar kredinë:

“Ne kemi rregulloret tona, të arritura në marrëveshje me autoritetet greke. Do të shohim çfarë kërkesash parashtron qeveria e re greke”.

Gjermania konsiderohet si forca shtytëse për politikat e disiplinës buxhetore. Zyrtarët gjermanë kanë thënë se mund të jetë më mirë sikur Greqia të dalë nga Eurozona, por këto janë thjesht retorikë për votuesin gjerman, thotë Christian Odendahl, i Qendrës për Reforma Evropiane në Londër:

“Angela Merkel është politikane shumë e kujdesshme. Para se të arrijmë tek tërheqja nga Eurozona ajo duhet të sigurohet se ky hap nuk do të ketë ndikime negative për vendet e tjera në Eurozonë. Nuk mendoj se ajo është e bindur që s’do të ketë pasoja, prandaj nuk e shoh të mundur që politikanët gjermanë të duan vërtetë largimin e Greqisë nga Eurozona”.

Kostoja e tërheqjes së Greqisë mund të jetë tepër e lartë për Athinën dhe Brukselin, argumenton Dionyssis Dimitrakopoulos:

“Nuk është në interes të askujt, as të Greqisë, as të Gjermanisë, Francës, etj. që Greqia të tërhiqet nga Eurozona. Po u bë kjo, ngrihet pyetja, kush e ka radhën më pas?”

Kjo pyetje është ngritur në të gjitha kryeqytetet evropiane. Spanja, e cila mori kredi për të përballuar krizën, përgatitet për zgjedhje. Partia Podemos e cila kundërshton politikat e shkurtimeve buxhetore, përshëndeti zgjedhjet në Greqi:

“Besojmë se fitorja e Syrizës në Greqi ka dëshmuar se politikat e shkurtimeve buxhetore janë të dështuara”.

Udhëheqësit në Bruksel përgatiten tani për negociata të vështira me Athinën. Nëse lëshojnë shumë pe, analistët thonë se vende të tjera që kanë marrë kredi do të ngrihen me kërkesa. Por nëse këmbëngulin që Greqia t’u përmbahet termave të marrëveshjes ekzistuese, Athina mund të vendosë të tërhiqet nga Eurozona, një hap që mund të jetë çarja e parë në pëlhurën e përbashkët evropiane.

XS
SM
MD
LG