Lidhje

G-20 përpiqet të nxisë rritjen ekonomike


Ministrat e financave dhe drejtuesit e bankave qëndrore nga 20 ekonomitë më të zhvilluara të botës janë mbledhur në Stamboll sot në hapje të takimit të G20 që synon koordinimin e veprimeve për të nxitur rritjen ekonomike.

Zëvendës kryeministri turk Ali Babacan, vendi i të cilit kryeson radhën e G-20, shfaqi shpresën se vendet do të vendosin objektiva të detyrueshme për investime kombëtare.

"Por ajo që është e rëndësishme këtu për ne është së pari të krijojmë ndërgjegjësim se investimet janë të rëndësishme, edhe nëse nuk kemi burime qeveritare, duhet të kërkojmë për rrugë dhe mënyra për t’i financuar ato”, tha zëvendës kryeministri turk.

Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin thotë se qeveritë në mbarë botën nuk po bëjnë sa duhet për të zbatuar një seri politikash për nxitjen e rritjes ekonomike gjatë viteve të ardhshme.

Në raportin e saj të përvitshëm për rritjen ekonomike të publikuar sot, organizata ekonomike ndërkombëtare u bën thirrje vendeve të zbatojnë strategjitë bashkëkohore të zhvillimit si rritja e produktivitetit, konkurrencës dhe novacionit.

Ndërkohë zyrtarë të lartë të financave nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje fuqive botërore të punojnë së bashku për të nxitur rritjen dhe për të pakësuar defiçitin fiskal. Në një artikull të publikuar në gazetën The Wall Street Journal, sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew dhe sekretari britanik i thesarit George Osborne thonë se "qeveritë duhet të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të mbështetur ekonomitë e tyre dhe të realizojnë objektivin e përbashkët të G-20 për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të balancuar globale”.

XS
SM
MD
LG